"Thuaj fjalën tënde", tani në njësinë nr. 2
Në vijim të dëgjesave publike me komunitetin kryeqytetas, Bashkia e Tiranës organizoi sot pasdite takimin me moton "Thuaj fjalën tënde" me banorë të njësisë bashkiake nr. 2. Kjo nismë që do të materializohet përmes takimeve me qytetarët në çdo njësi bashkiake, synon të thithë mendimin e komunitetit për prioritetet në investime dhe shpenzime, duke synuar të hartojë një buxhet sa më të mirë dhe efikas për vitin 2008.
Kryebashkiaku Edi Rama në këtë takim u shpreh se "kontributi juaj si qytetarë ka një rëndësi shumë të veçantë, pikërisht përcaktimin e prioriteteve dhe shpenzimeve publike; për transparencën dhe eficensën e përdorimit të të ardhurave publike; për të ndërgjegjësuar komunitetin mbi rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave, sepse në këtë mënyrë të gjithë qytetarët bëhen më të vetëdijshëm që kontributet e tyre nuk janë kontribute që shkojnë në drejtim të paditur dhe jo drejtpërdrejtë në jetën e tyre; si dhe për një buxhet që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe i balancuar". Të pranishmëve në takim u ishte shpërndarë një pyetësor, në të cilin renditeshin nevojat dhe kërkesat e evidentuara nga njësia bashkiake nr.2 dhe nevojat e evidentuara nga Bashkia e Tiranës për investime dhe shpenzime në territorin e kësaj njësie. Qytetarët e pranishëm, por edhe të tjerë në këtë njësi që do ta marrin në ditët në vijim këtë pyetësor, duhet të votojnë për të vendosur se cila nga nevojat e evidentuara është për ta më prioritare se tjetra. Në fund, pas përpunimit të këtyre formularëve dhe nxjerrjes si më prioritare të atyre nevojave ku qytetarët duan më shumë të investohet dhe shpenzohet, përfundimet do të merren parasysh në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2008.