E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi, mësim në 2000 klasa fillore

Mjedisi do të jetë orë mësimi për nxënësit e klasave fillore të disa shkollave. Projekti pilot synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të ruajtur ambientin ku jetojnë. "Është shumë e nevojshme të përvetësojmë duke filluar nga moshat më të reja, nga klasa e parë, konceptet moderne të zhvillimit dhe ruajtjes mjedisore, sepse ashtu si energjia elektrike dhe mjedisi, ashtu si edhe shumë gjëra të tjera janë resurse me limit. Kështu u shpreh ministri i Arsimit, Genc Pollo, dje, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ministria e Arsimit, Ministria e Mjedisit, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe organizata UNICEF nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për implementimin e projektit "Iniciativa të edukimit mjedisor me në qendër fëmijët", i cili do të zbatohet në 400 shkolla dhe 2000 klasa në të gjithë vendin.

Projekti do të zgjasë 3 vjet dhe ka një buxhet mbi 1.5 milionë euro, ku në vitin 2008 do të shpenzohet vetëm çereku i tyre afro 400 mijë eurove. Katër drejtues firmosën projektin, si ministri i Arsimit, Genc Pollo, zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino, ambasadori i Vendeve të Ulëta në Tiranë dhe përfaqësuesja e UNICEF-it.

Pritet, që në fund të këtij projekti, 80 për qind e fëmijëve të arsimit fillor të kenë përvetësuar disa njohuri bazë për mbrojtjen e mjedisit të kurrikulës, të kenë sjellje pozitive ndaj mjedisit, të jenë aktivizuar në përmirësimin e tij në shkolla, shtëpi dhe komunitet.

Sipas ministrit Pollo, përmes projektit CLEEN është zhvilluar një koncept tërësor i mbështetur me mjete didaktike, moderne dhe me programet e trajnimit të duhura për mësuesit. Ndërsa tani do të nisë shpjegimi i kësaj lënde nëpër klasa.

Ky projekt synon zhvillimin e një tërësie kompetencash të nxënësve në lidhje me mjedisin, promovimin e metodave aktive të mësimdhënies, të bëjë komunitetin më të hapur në rolin aktiv të fëmijëve lidhur me mjedisin në shtëpi dhe komunitet. Është parashikuar që brenda këtij afati kohor të realizohet kurrikula, pajisja e shkollave me materialet bazë të mësimdhënies, si guidat e mësuesve dhe librat e nxënësve. Gjithashtu, parashikohet trajnimi i mësuesve për metodologjinë e mësimdhënies fëmijët-për-fëmijët. Çdo shkollë do të ketë të paktën 5 klasa të përfshira në këtë projekt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›