Dha dëshmi të rreme, pranga në sallën e gjyqit
GJIROKASTËR- Shkon në seancë gjyqësore si dëshmitar dhe përfundon në qelitë e paraburgimit. Kështu ka ndodhur në Gjirokastër me shtetasin Adriatik Plaku nga Lushnja. Shkak për arrestimin e 25-vjeçarit në sallën e gjyqit mësohet të jetë bërë dëshmia e rreme e dhënë prej tij, para trupit gjykues. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se arrestimi i 25-vjeçarit Adriatik Plaku lindur dhe banues në fshatin Ishëm të rrethit të Lushnjes është bërë nga specialistët e Policisë Kriminale. Plaku ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj shtetasit Çerçiz Driza, i zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të këtij rrethi, ndërsa ky i fundit gjykohet për veprën penale të“Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Por, pikërisht versioni i ngritur prej 25-vjeçarit dhe dëshmia e dhënë para trupit gjykues, e cila ka qenë e rreme ka detyruar prokurorin e çështjes, Spartak Çoçoli, të urdhërojë arrestimin e tij. Mësohet se arrestimi është bazuar në nenin 306/2 të Kodit Penal. Ky është ndër rastet e rralla të ndodhura në Gjykatën e Faktit të Gjirokastrës, kur një dëshmitar arrestohet në sallën e gjyqit.