Një femër në statusin e bashkëpunëtorit
Vajza e mbajtur 18 muaj peng nga Indrit Taullai ka pranuar të bashkëpunojë për zbardhjen e vrasjeve
TIRANË- Dosja e ardhur nga Italia për bandën e Lul Berishës zbardh edhe njërën prej pengmarrjeve më të gjata, të ndodhura në vendin tonë. Vajza me inicialet V.J u mbajt e izoluar për 18 muaj në një shtëpi në Durrës, nga anëtarët e bandës dhe më pas u trafikua për prostitucion në Itali. Sipas dosjes së dërguar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për 17 anëtarët e “bandës” së Durrësit, kjo vajzë është ndër të parat femra që ka fituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, duke ndihmuar akuzën me dëshminë e saj rrëqethëse. Ky lajm konfirmohet nga burimet e rezervuara pranë Ministrisë së Brendshme, konkretisht pranë zyrës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë. “Është ndër rastet e para për zyrën e Mbrojtjes së Dëshmitarëve të Drejtësisë, që një femër fiton këtë status dhe njëherazi mbrojtje,pasi me dëshminë e saj ka zbardhur disa vrasje që u bënë shkak i pengmarrjes së saj për 18 muaj në qytetin e Durrësit në vitin 2000”,- pohojnë burimet.
***
Dëshmia e vajzës së marrë peng është e ndarë aktualisht në dy hetime. Njëri ka në fokus vrasjet mes bandave rivale në Durrës, ndërsa tjetri hetim po zhvillohet në qytetin bregdetar, kundër Gani Taullajt, i cili dyshohet se e ka mbajtur në Itali vajzën dhe me anë të kërcënimeve e ka detyruar të shesë trupin e saj në rrugët e vendit fqinj. Sipas dosjes 9 mijë faqëshe, të ardhura nga Antimafia italiane thuhet se vajza nga rrethi i Durrësit është marrë peng menjëherë pasi autoritetet shqiptare arrestuan njërin nga krerët e “bandës” së Durrësit, shtetasin Klodian Saliu. “Arrestimi i Klodjan Saliut u bë në muajin shtator të vitit 2000, si i dyshuar për kryerjen e veprën penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim të shtetasve Viron Curri dhe Arjan Paja si dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri. Në vazhdim të hetimeve ndaj tij, Saliu u akuzua dhe për vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Nisur nga sa më sipër, i pandehuri Indrit Taullaj në bashkëpunim me të pandehurin Endrit Dokle, pas arrestimit të “shefit” të tyre morën peng për një periudhë rreth 18 muaj, shtetasen me iniciale V.J. me qëllim që të shmangte dëshminë e saj para organeve kompetente, dëshmi kjo që do të rëndonte pozicionin e Saliut ”,-thuhet në dosjen e dërguar tashmë në gjykatë.
***
Pas mbajtjes peng për 18 muaj, i pandehuri Indrit Taullaj e ka dërguar në Itali vajzën me iniciale V.J. duke ia lënë në dorëzim shtetasit Gani Taullaj, i cili dyshohet se e ka shfrytëzuar për prostitucion. Sipas akuzës, mbajta peng dhe më pas trafikimi i saj për në Itali, ka bërë që pas deportimit të saj në Shqipëri nga autoritete italiane, vajza ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, kundrejt sigurisë së jetës së saj dhe pjesëtarëve të familjes, që tashmë janë marrë në ruajtje. Gjithashtu, në dosjen e antimafias nuk mungojnë edhe bisedat e incizuara ku janë dhënë urdhra për vrasjen e personave të ndryshëm, duke përdorur mënyrat e sofistikuar që përdor policia e shtetit, gjatë vëzhgimit të personave në kërkim. “Ata merrnin banesa me qira në afërsi të banesës ku jetonte “viktima” e tyre e radhës dhe kontrollonin hyrje- daljet e tij deri sa gjenin momentin e volitshëm për ta vrarë”,-thuhet nga burimet e prokurorisë së Përgjithshme. 17 të pandehurit e kësaj bande akuzohen për vrasjen e 8 personave, rrëmbimin e një femre për 18 muaj, vrasjet e mbetura në tentativë ndaj 5 personave dhe armëmbajtje pa leje.