E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 25-vjeçarit në Durrës, dhunoi një grua shtatzënë

Durrës-Një grua shtatzënë është dhunuar fizikisht e më pas grabitur në banesën e saj nga një 25-vjeçar. Ngjarja e rëndë është shënuar në lagjen numër 14 në plazhin e Durrësit, kur gruaja rreth të 40-ve ka qenë në shtëpi vetëm me vajzën e saj të vogël, që nuk ka mbushur ende vitin. Sipas burimeve zyrtare të policisë, autori i ngjarjes është Emilian Taipi, me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje. “Autori u ndalua 7 orë pas denoncimit të bërë nga gruaja, që ra pre e dhunës së 25-vjeçarit”- bëjnë të ditur burimet e policisë së Durrësit. Qëllimi i tij ka qenë grabitja, por nën efektin e lënës narkotike, qëmësohet ta ketë konsumuar edhe në sy të gruas, ai është bërë i dhunshëm, duke e manifestuar këtë në trupin dhe fytyrën e saj.
Ngjarja
Gruaja shtatzënë me inicialet S.U, jetonte së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e vogël në një banesë të marrë me qira në plazh. Dhunuesi, sipas dëshmisë së gruas, dhënë në policinë e Durrësit ka trokitur në banesën e saj pasditen e vonë të së premtes. Kohë kur ajo ka qenë vetëm më vajzën duke u marrë me punët e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshorti kishte dalë jashtë shtëpisë. Sipas dëshmisë së saj, një person i panjohur për të ka trokitur në derën e shtëpisë. “Ai trokiti në derë dhe në kohën që unë e hapa ai më pyeti se ishte i interesuar të dinte për një të njohurin e tij në katin e parë të pallatit”,- mësohet të ketë thënë në polici gruaja e dhunuar. Në fakt, ashtu si edhe u zbulua pak kohë më pas, ky ka qenë vetëm një pretekst që e ka ndihmuar 25-vjeçarin të largojë dyshimin nga qëllimi i vërtetë që kishte. Nuk kanë kaluar as disa sekonda, kur ai duke përfituar nga hapja e derës ka hyrë më forcë brenda në banesë.
Dhuna
I ndihmuar edhe nga fakti se brenda shtëpisë ishte vetëm gruaja me fëmijën, të gjendur pa asnjë mbrojtje dhe në befasi nga ajo që ndodhi, ai e ka mbajtur forcërisht shtetasen S.U. Më pas, sipas të dhënave zyrtare të policisë, që i referohen denoncimit të bërë, ai ka rrëmbyer hekurin e hekurosjes dhe me kordonin e tij ka lidhur gruan, pa u shqetësuar aspak për shtatzëninë e saj. Nuk është mjaftuar me kaq. Ndërsa gruaja ka qenë e lidhur, ai nën kërcënimin e një biçaku që e mbante me vete, i ka kërkuar gruas të tregonte shpejt vendin ku mbante paratë dhe të gjitha sendet e tjera me vlerë, si bizhuteritë apo të tjera gjëra që për të mund të konvertoheshin kollaj në para. Gjatë kësaj kohe, i dyshuari ka konsumuar në prani të gruas një sasi prej 2 gram lëndë narkotike, e cila, sipas policisë dyshohet se ka qenë e llojit kokainë. Nga dëshmia e gruas, ai e kishte nxjerrë nga xhepi lëndën narkotike. Pastaj nën efektin e saj, mësohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas 40-vjeçare, pa pyetur për foshnjën që ajo mbante në bark. Dhuna e tij, është faktuar lehtësisht për oficerët e policisë nga shenjat që gruaja ka pasur në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.
Arrestimi
Pasi e ka dhunuar ai është larguar qetësisht, duke lënë pas gruan të traumatiozuar dhe të dhunuar fizikisht. Nuk ka vonuar që gruaja të njoftojë bashkëshortin e të bëjë me pas denoncimin për ngjarjen e rëndë që i ndodhi në komisariatin e policisë. Aty mësohet se ka përshkruar me detaje gjithë sa ndodhi duke dhënë edhe hollësi të aspektit fizik të dhunuesit. Menjëherë pas denoncimit në rajonin e policisë, blutë e Durrësit kanë bërë të munduar arrestin e autorit të krimit. “Ai akuzohet për veprat penale të tentativës së vjedhjes dhe heqjes së paligjshme të lirisë”,- thanë burimet. Materialet në lidhje me këtë çështje i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së rrethit të Durrësit. Ndërkohë që mësohet se i akuzuari ka qenë person me precedentë penalë. “Shtetasi Emilian Taipi, 25-vjeç, banues në lagjen 14 të qytetit të Durrësit, me arsim 7 klasë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare ka qenë i dënuar 2 herë për veprën penale të vjedhjes”,- thanë burimet policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›