Reforma, gjyqtarët shpallin shoqatën e tyre
TIRANË- Në kulmin e debateve për reformën në drejtësi, gjyqtarët bashkohen me një shoqatë. “Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë”, një organizëm për mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve u prezantua dje.Në krye të saj u zgjodh fillimisht me 22 vota, gjyqtari i Shkallës së Parë, Gjin Gjoni, por ky i fundit preferoi të mos e pranonte postin. Në vend të tij u vendos me mirëkuptim që drejtuese e përkohshme të jetë gjyqtarja Manjola Bejleri, e cila ishte e renditur e dyta në votim. Gjyqtarët e pranishëm nga dy shkallët e gjyqësorit në gjithë vendin, pas takimit firmosën dje në ambientet e “Hotel Tirana Internacional” dokumentin për krijimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë, ku në fund të saj u hodhën rreth 70 firma të gjyqtarëve të pranishëm. Gjatë kësaj mbledhjeje u zhvillua edhe procesi i votimit për anëtarët e këshillit drejtues, duke zgjedhur 15 anëtarët të tij, gjyqtarët: Rraman Qinami, Bledi Qorri, Gjin Gjoni, Bruna Kadi, Marina Raboshta, Manjola Bejleri, Eriol Rroshi, Flamur Kapllani, Fadri Islamaj, Bashkim Dedja, Ariana Caco, Rexhina Merla, Kastriot Selita, Ndue Gjura dhe Ibrahim Hoxha. Kjo shoqatë, sipas përpiluesve të dokumentit ka për qëllim mbrojtjen e interesave të gjyqtarëve, ngritjen profesionale të tyre, si dhe konsolidimin, ruajtjen, forcimin dhe mbrojtjen e pavarësisë së gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor në tërësi. Me anë të kësaj shoqate, sipas folësve të kësaj tryeze, do të kërkohet përmirësimi i kushteve të punës, të sigurisë fizike jo vetëm të tyre por edhe të pjesëtarëve të familjeve të tyre, si dhe përmirësimi i kushteve ekonomike të gjyqtarëve, të cilët do të kenë zyrën e shoqatës së tyre në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë.