Peshkopi, vdes nga konsumi i alkoolit 24-vjeçari
PESHKOPI-Konsumi në sasi të madhe i alkoolit përgjatë gjithë ditës e natës në vijim i ka marrë jetën një 24-vjeçari në Peshkopi. Sipas burimeve policore të drejtorisë së qarkut Dibër, 24-vjeçari Alket Alku, banues në qytetin e Peshkopisë ka qenë duke festuar me shokët e tij në një nga lokalet e qytetit deri në orët e vona të së premtes, por pas pijes nuk e ka marrë më veten dhe është gjetur pa shenja jete në një nga kolltukët e lokalit. Edhe pse është nisur me urgjencë në spitalin e qytetit, mjekët nuk kanë mundur ta rikthejnë në jetë. E cilësuar fillimisht si një vdekje misterioze, të dhënat e para të autopsisë kanë vërtetuar se vdekja e të riut ka ardhur pas ngopjes së gjakut me alkool. “Priten analiza më të detajuara për shkaqet e vdekjes, por është gati e sigurt se 24-vjeçari ka ndërruar jetë nga konsumi i madh i alkoolit”- thanë dje burimet zyrtare të policisë, që u morën me ngjarjen.
***
Djali, sipas burimeve familjare, mbështetur edhe nga versioni zyrtar i policisë, së bashku me një shok të tij ka pirë gjatë gjithë ditës së premte nëpër disa lokale të qytetit. Ndërsa në darkë është futur po së bashku me shokun e tij në një lokal, ku ka ndenjur gjithë natën. Pas dëshmive të mbledhura në vendin ku kanë konsumuar pije alkoolike, burimet policore sqarojnë se, edhe në lokalin ku kanë kaluar natën të rinjtë kanë konsumuar alkol të shumtë deri në orët e vona. Në gjendje të pirë, as njëri e as tjetri nuk kanë dalë nga lokali, pasi duket se nuk kanë qenë në gjendje të lëviznin për t’iu drejtuar shtëpive. Në ato kushte e kanë parë të udhës të ulen e të dremisin në kulltukët e lokalit.
***
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka qenë kamarieri ai që i është afruar të dyve.Nga larg ka parë se të dy kanë qenë të qetë dhe në gjendje gjumi. Kur kamarieri i lokalit është afruar për t’i zgjuar, vetëm njëri është përmendur dhe është zgjuar, ndërsa Alketi nuk është bërë i gjallë. Sipas thënies së kamarierit, që është pyetur nga policia,ai dukej në koma nga të pirit e shumtë. Kamarieri ka lajmëruar urgjencën e spitalit dhe në pak minuta 24-vjeçari është transportuar atje. Mjekët e kanë marrë në urgjencë dhe e kanë futur në sallën e reanimacionit për t’i dhënë ndihmën e duhur mjekësore. Por ndërhyrja e mjekëve ka rezultuar pa sukses, pasi 24-vjeçari, sipas informacionit nga mjekët e spitalit ndërroi jetë shumë shpejt pa u përmendur nga koma. Mësohet se 24-vjeçari ishte i afërt i prokurorit të rrethit.
***
Kanë qenë uniformat e bardha që kanë lajmëruar policinë për këtë vdekje, ndërkaq është ngritur një grup hetimor që ka bërë autopsinë e trupit të viktimës. Sipas policisë nuk janë gjetur as gjurmë dhune dhe as shenja të ndonjë arme zjarri në trupin e tij, ndërsa pas pyetjeve të bëra dëshmitarëve okularë, policia dyshon se vdekja ka ardhur nga pirja e tepërt e pijeve alkolike. Shokët e 24-vjeçarit kanë rrëfyer për policinë se ai nuk kishte pasur ndonjë grindje me ndokënd as më parë dhe as në momentet e rëndimit të gjendjes shëndetësore, gjë të cilën e përforcuan dhe familjarët dhe të afërmit e tij.