Zhduket në Kosovë 30-vjeçarja nga Fushë-Kruja
KUKËS- Një grua nga Fushë-Kruja është denoncuar si e zhdukur në Kosovë nga familjarët e saj. E. Dalani, 30 vjeçe, sipas familjarëve, rezulton e zhdukur që nga 11 dhjetori i vitit të kaluar, kohë në të cilën ajo kishte përfunduar afatet e burgimit prej 4.5 vjetësh në Kosovë. Sipas familjarëve të gruas së zhdukur, kjo e fundit ka qenë e dënuar me 4.5 vjet burg nga gjykata e Qarkut në Prishtinë për veprën penale të mashtrimit dhe dhunës. E.Dalani, para pesë vjetësh kishte shkuar në Kosovë ku merrej me hedhje falli kundrejt një pagese prej 20 Euro. Në Podujevë, ajo ishte akuzuar nga bashkëshorti i një gruaje se gruaja nga Fushë-Kruja e kishte mashtruar bashkëshorten e tij, ku përveç vlerës prej 20 Euro, kishte grabitur edhe materiale të tjera në shtëpinë e tij, duke ushtruar dhunë ndaj gruas nga Podujeva. Policia e Kosovës e ka arrestuar Dalanin, ndërkohë që gjykata e Prishtinës e ka dënuar atë me 4.5 vjet burgim. E.Dalani nga Fushë-Kruja ka vuajtur dënimin në burgun e grave në Lipian të Kosovës. Me 11 dhjetor të vitit kaluar ajo ka mbaruar vuajtjen e dënimit, por që nga ajo kohë ajo nuk është bërë e gjallë. Bashkëshorti i saj bashkë me vëllanë dhe kunatën janë paraqitur në burgun e Lipianit për të kërkuar sqarime, por përgjigja e autoriteteve të burgut ka qenë se gruan nga Fushë-Kruja që u lirua nga burgu e kishin marrë dy persona që ishin paraqitur si të afërm të saj dhe që ishin nga Gjakova. Këta dy persona sipas zyrtarëve të burgut, e kanë takuar sistematikisht gruan nga Fushë-Kruja në burgun e Lipianit. Madje dy personat kishin depozituar pranë autoriteteve të burgut edhe emrat e tyre që më vonë kanë rezultuar si emra të rremë. Të afërmit e gruas së zhdukur kanë shkuar në policinë e Gjakovës, por përgjigja e policisë ka qenë se emrat e dy burrave që kishin marrë gruan 30- vjeçare nga Fushë-Kruja nuk ekzistonin në rajonin e Gjakovës.