"Një histori gjatë viteve të izolimit dhe acarimeve në kufi"
Kur kam kryer shërbimin ushtarak, tregonin një histori të tillë, me një ushtar tonin në kufi me Greqinë. Ushtari grek, përtej vijës së kufirit, ishte i rraskapitur, kërkonte të shuante lodhjen me ujë. Burimi i ujit ishte në tokën tonë. Ushtari ynë, kur e pa në atë gjendje, e ndihmoi.
Mbushi bucelën plot me ujë, e mori në duar, e ngriti lart dhe filloi ta pijë. Pastaj, e uli në tokë. E ftoi ushtarin grek të pinte me një shenjë, kurse vetë u largua në një distancë të konsiderueshme, duke mbajtur gishtin në këmbzën e armës.
Ushtari grek piu dhe u flladit. Falenderoi dhe iku. Eprorët e kufirit e rrasën në burg, me motivin se ke treguar dobësi përballë armikut.
Ngjarja mori dhenë. Dikush ia tregoi Enver Hoxhës. Tregonin se ky, mbeti i mahnitur. Kishte kërkuar të takonte ushtarin. "A e kuptoni se çfarë ka bërë ai ushtar"?, - u tha Hoxha të pranishmëve, - është një filozof i vërtetë. I dha armikut ujë nga bucela, duke pirë vetë i pari, pra duke e siguruar se uji është i rregullt, dhe, nga ana tjetër, ka ruajtur gatishmërinë me fishek në gojë të armës".
Me sa mbaj mend nga treguesit, oficerët e dënimit, atij ushtari, i dhanë 2 muaj leje.