Dhëndri i Berishës: Banka Botërore nuk ka urdhëruar prishje shtëpish
Një ditë pasi Banka Botërore e pranoi se janë bërë gabime serioze në një projekt të sajin në Shqipëri, koordinatori shqiptar i projektit, Jamarbër Malltezi, tha për BBC se Banka ka dilema për politikat që ka zbatuar në të.
“Ky mbetet problem i brendshëm i Bankës Botërore”, - tha z. Malltezi, emri i të cilit është lakuar nga media në Shqipëri, pasi, përveçse koordinator i projektit, ai është dhe bashkëshorti i vajzës së kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.
“Bëhet fjalë për probleme të procedurave dhe politikave të veta të Bankës, politika, të cilat në raste specifike nuk janë aq të qarta”.
Në qendër të stuhisë në Bankën Botërore, që të mërkurën e detyroi dhe presidentin e saj të pranonte gabimet “skandaloze” të vartësve të tij në Shqipëri, janë prishjet e disa shtëpive në fshatin Jalë dhe kompensimi i pronarëve të tyre, në kuadër të një projekti të Bankës për zhvillimin e bregdetit jugor shqiptar.
Z. Malltezi tha se grupe brenda institucionit mendojnë se kjo mund të ketë qenë një nga mangësitë e punës së Bankës dhe mund ta bëjë përgjegjëse institucionin për prishjet.
Por kreu i Bankës, Zoellick, vetë të mërkurën i bëri përgjegjës për më shumë vartësit e tij.
“Që nga menaxhimi i projektit bazë, deri te komunikimet me Bordin dhe me Grupin e Inspektimit, veprimet e Bankës me këtë projekt kanë qenë skandaloze”, - tha z. Zoellick.
“Banka po lëviz me shpejtësi për të forcuar mbikëqyrjen, përmirësuar procedurat dhe për të ndihmuar familjet, shtëpitë e të cilave u prishën.”
Deklarata e z. Zoellick u bë mbi një muaj pasi Banka e pezulloi projektin, pasi raporti i një grupi inspektimi gjeti se në të ishin bërë shkelje serioze, sidomos në mënyrën e kompensimit.
Banka tani po heton veprimet e disa pjesëtarëve të stafit të saj, të cilët akuzohen se nuk i kanë treguar të vërtetën inspektorëve.
Por, përmes një deklarate për shtyp, zyrtarët e saj kanë theksuar se askush nuk po hetohet për korrupsion, “asnjë zyrtar qeverie dhe asnjë zyrtar i Bankës”.
Me koordinatorin shqiptar të projektit, Jamarbër Malltezi, që fillimisht tregon disa hollësi për planin, foli korrespondenti i BBC në Tiranë, Aleksandër Furxhi.
Malltezi: Plani i zhvillimit të zonës bregdetare është publikuar që prej një viti në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike dhe është miratuar, pra është dokument zyrtar dhe publik në këtë faqe prej korrikut të 2008.
Është një plan, i cili tregon në mënyrë të qartë kriteret, përkthen kriteret e kodit evropian të sjelljes në zonat bregdetare, tregon ku nuk lejohet të ndërtohet dhe për çfarë arsye nuk lejohet dhe ofron një listë se çfarë mund të zgjedhin pushtetet vendore për hartimin e planeve lokale, si mund t’i trajtojnë.
Zoti Malltezi, ju keni vite që punoni me Bankën Botërore për projektin që quhet tashmë “Menaxhimi i zonës bregdetare” të jugut të Shqipërisë. Si e shpjegoni ju që në projektin që zyra juaj ka koordinuar dhe koordinon në Tiranë, në Shqipëri, të ketë pasur gabime të mëdha apo skandaloze, siç përmendet tani?
Më duhet të sqaroj që fakti është që bëhet fjalë për probleme të procedurave dhe politikave të veta të Bankës, politika, të cilat në raste specifike nuk janë aq të qarta, çështje, dilema, si, a duhet forcuar shteti ligjor apo duhet respektuar moskrijimi i varfërisë.
Këto janë dilema të mëdha. Për çudinë e të gjithëve Banka Botërore ka përgatitur dhe aid-memuare, që janë mënyrat e komunikimit zyrtar me qeverinë shqiptare, në të cilat që në 2004 shprehet që qeveria duhet të vijojë me heqjen e ndërtimeve të paligjshme në bregdet.
Me sa duket, grupe vetë brenda Bankës Botërore mendojnë se kjo mund të ketë qenë një nga këto mangësi dhe mund ta bëjë përgjegjëse Bankën Botërore për prishjet që nga 2004. Gjithsesi, mbetet problem i brendshëm i BB.
Kur thoni dilema, zoti Malltezi, është fjala për dilema të Bankës, të atyre që hartojnë politika, apo të kujt?
Padyshim janë dilema të vetë Bankës. Banka si institucion është krijuar për luftimin e varfërisë. Në një vend si Shqipëria, a kemi të bëjmë me një vend të varfër apo me një vend që kërkon të ngrejë shtetin ligjor?
Në 2004, Banka besonte që duhet të bëjmë forcim të shtetit ligjor, domethënë të vijonim me prishje të ndërtimeve të paligjshme, ka futur në plan prokurimi vetë në 2004 deri në qershor 2005, kur e ka miratuar vetë blerjen e pajisjeve për policinë ndërtimore, pra që të fuqizohej roli kontrollues i territorit i policisë ndërtimore.
Të gjitha këto janë probleme të brendshme të Bankës që tani i kthehet përsëri vetes dhe kërkon të dijë, nëse këto që kanë adresuar apo udhëzuar mos kanë qenë gabim dhe kanë shkaktuar probleme për popullatën.
Këto janë dilema të brendshme, ndërkohë që zyra jonë e menaxhimit të projektit thjesht merr udhëzimet e Bankës dhe ia përcjell qeverisë shqiptare.
Zoti Malltezi, po mendimi juaj personal, edhe si ekspert tashmë në këtë fushë, cili është? A është bërë ndonjë gabim?
Normalisht kemi të bëjmë me një zonë dhe një pasuri kombëtare, e cila duhet trajtuar me kujdes, duhet respektuar, qoftë mjedisi, qoftë trashëgimia e pasur historike, qoftë kultura, si dhe banorët autoktonë. Nuk di, sepse nuk jam në brendësi për rastin konkret.
Ajo që unë di të them është se nga dokumentacioni i pasur i policisë ndërtimore që kam vënë re, nga arkivat, bëhet fjalë që janë me qindra prishje që nga 2004.
Kemi të bëjmë me mbi 200 prishje në 2004, me 110 prishje në 2006 dhe 90 prishje në 2007, vetëm në zonën e bregdetit të Jonit.
Ajo që është e çuditshme, e habitshme do të thoja, është pse ky panel trajton vetëm çështjen e Jalës, pse nuk trajton për shembull çështjen e Ksamilit, ku ka patur 6-7 herë më shumë prishje se në Jalë, apo Borshi më tepër se Jala, apo Buneci po aq sa Jala.
Të gjitha këto prishje, përveç Jalës, kanë qenë të sugjeruara nga Banka Botërore?
Asnjë prishje nuk ka qenë e sugjeruar nga Banka Botërore. Këtu kemi të bëjmë me një spekulim. Nuk ka pasur të tillë, ka thjesht dokumente të Bankës të vitit 2004, që thonë se prishjet e paligjshme duhet të vijojnë kudo.
Më pas ka një dokument tjetër të Bankës që thotë të bëjmë fotografimin ajror, të njoftojmë policinë ndërtimore që të marrë masa e mos të lejojë prishjet kudo. Më pas janë dhënë këto fotografi me CD, duke njoftuar që merrni fotot dhe kini kujdes, se po vazhdojnë ndërtimet e paligjshme, pa përmendur as fjalën Jalë, as fjalën prishje.
Qoftë vendimmarrja, qoftë mënyra e zbatimit të saj se ku ndërhyn, janë krejtësisht ekskluzivitet i policisë ndërtimore të asaj kohe, apo i Inspektoratit të Ndërtimit.
Me sa di unë, në të njëjtën kohë, pra në periudhën mars-prill të vitit 2007, janë kryer 90 prishje të ndërtimeve pa leje, 12 prej të cilave kanë qenë në Jalë, 14 në Borsh, 12 në Bunec, 5 në Dhërmi e kështu me radhë.
Zoti Malltezi, Banka Botërore po thotë se ka patur gabime të mëdha në zbatimin e projektit të saj në Shqipëri. Qeveria shqiptare thotë se nuk ka gisht në këtë punë dhe këto janë probleme të brendshme të Bankës. Sipas jush, a ka diçka që nuk ka shkuar mirë, që kur ju e keni marrë në dorë drejtimin e zyrës?
Banka Botërore nuk ka thënë këtë gjë specifike. Banka thotë që ka gabime shumë të rënda, serioze, duke filluar që nga konceptimi projektit. Në 2004, kur po hartohej projekti, a duhej Banka të kish thënë që duhet vijuar me heqjen e ndërtimeve të paligjshme?
Një pikë e dytë është që në 2004-2005, kur u hartua plani i prokurimeve, a duhej Banka të kishte vendosur për blerjen e pajisjeve për policinë e ndërtimit, mjeteve e të gjitha me radhë?
Një problem tjetër, a duhej banka të miratonte, qoftë fotografimin, qoftë vënien në dispozicion të fotografimit ajror policisë ndërtimore pa i dhënë asnjë kusht?
Tashmë, projekti i “Menaxhimit të zonës bregdetare të jugut të vendit” është i pezulluar. Çfarë pasojash ka kjo për zhvillimin e bregdetit? Gjithë bregdeti i Shqipërisë është ende kaotik në zhvillim ose i pazhvilluar...
Më lejoni t’ju them që nuk është tërësisht e saktë. E vërtetë është që financimi i kërkesës së kredisë së Bankës Botërore është i pezulluar. Përveç kësaj, janë dhe një sërë financimesh të tjera nga qeveritë donatore të tjera, përfshi qeverinë e Mbretërisë së Holandës, qeverinë e Austrisë dhe një sërë donatorësh të tjerë.
Banka Botërore për shkaqe që duhet t’i gjejë vetë e ka pezulluar pjesën e saj të kreditimit. Ne po vazhdojmë me të gjithë komponentët. Për momentin po presim qartësimin nga Banka se çfarë do ndodhë me financimin e pjesës së Bankës.
Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar Bankën, bordin e drejtorëve e të gjithë me radhë që qoftë aid-memuarët në vazhdimësi të BB e kanë cilësuar projektin shumë të suksesshëm, qoftë qeveria e Shqipërisë e cilëson projektin shumë të suksesshëm, si rast të parë që gërsheton dhe integron në mënyrë të përbashkët planifikimin e territorit përmes një plani jo klientelist.
Ka një dilemë për sa i përket financimit të mëtejshëm nga BB, të një komponenti që ka të bëjë me fuqizimin institucional.
Gjasat mund të jenë që Banka të tërhiqet nga financimi i fuqizimit institucional të policisë ndërtimore për të mos marrë mbi vete riskun dhe ndoshta bashkë me këtë dhe financimin e planeve vendore, të cilat besoj që do t’i dalë për financim qeverisja qendrore, për t’i dhënë grante pushteteve vendore të hartojnë planet lokale, pasi Plani i Zhvillimit i Miratuar në korrik 2008 është mjaft i qartë, i saktë dhe ofron rregullore të qarta se si të zhvillohet.