E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refleksion dhe për ata që sabotuan dekomunistizimin

Nga Mero Baze

Shqipëria mbetet vendi model në gjithë vendet e Lindjes komuniste që ka dështuar në projektet e saj politike për të rehabilituar dhe integruar në shoqëri një shtresë të gjerë të qytetarëve të saj që janë përndjekur, persekutuar dhe privuar nga shanset e barabarta gjatë regjimit komunist. Reformat gjysmake dhe politike, të ndërmarra në ndihmë të tyre, kanë devijuar gjithmonë thelbin për të cilin janë ndërmarrë, dhe në disa raste kanë dështuar ose degraduar.

Problemi madhor që kanë të persekutuarit politikë është starti i pabarabartë i tyre në vitin 1991 me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare. Fëmijët e tyre ishin të pashkolluar, ekonomia e tyre ishte e tejrrënuar dhe pozita e tyre shoqërore shumë e ulët. Qeveria e kryeministrit Aleksandër Meksi ndërmori një sërë masash lehtësuese për ta, ku përfshihej arsimimi pa konkurs i fëmijëve të tyre, kompensimi me letra me vlerë i viteve të burgut, si dhe disa përpjekje modeste për të zgjidhur çështjen e strehimit dhe integrimit të tyre. Por, duke pasur një politikë parimore dhe ligjore ndaj tyre, masat mbetën në nivel politik dhe humbën kuptimin e tyre pas vitit 1997. Me rikthimin në pushtet të Partisë Socialiste, efekti i atyre masave lehtësuese u ndërpre. Në një shenjë karshillëku të paprecedent, qeveria e asaj kohe kompensoi financiarisht dhe amnistoi gjithë ish-anëtarët e Byrosë Politike, të dënuar po ashtu me gjyqe qesharake për shpenzime financiare gjatë viteve ‘90. Ish-byroistët morën paratë për dy apo tri vite burg në demokraci, ndërsa ish-të persekutuarit ende nuk kanë marrë sot shpërblimin që iu takon, jo vetëm për humbjen e dhunshme të lirisë së tyre, por dhe për kontributet e papaguara gjatë regjimit komunist.

Përpjekja zyrtare për t’i përdorur politikisht përfaqësuesit jozyrtarë të të përndjekurve, u kthye po ashtu në një garë. Grevat dhe protestat e të persekutuarve sabotoheshin rregullisht prej politikës dhe gjithmonë ekzistonin dy ose më shumë rryma që përfaqësonin krahët politikë në këto shoqata. Kjo e uli ndjeshëm autoritetin e tyre dhe dëmtoi kauzën e ish-të persekutuarve.

Por, me rikthimin në pushtet të Partisë Demokratike, situata nuk ndryshoi shumë. Një ligj për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve u kthye në një kalvar të ri për ta, ndërkohë që shumica e të persekutuarve nuk janë më gjallë. Kërkimi i dokumentacionit për burgjet e tyre, stërmundimi burokratik dhe poshtërues për plotësimin e dokumentacionit, dhe në fund hedhja e lotarisë për ata që do të marrin lekët të parët, është i gjithi një proces i dyshimtë dhe shumë fyes për ish-të përndjekurit. Nga ana tjetër, ky është i vetmi ligj i historisë sonë që hyn në fuqi jo pas 15 ditësh, por pas 15 muajsh, çka do të thotë që qeveria Berisha e ka llogaritur të fillojë zbatimin në fund të mandatit të tij për ta përdorur politikisht dhe për ta lënë pa zbatuar, nëse humbet zgjedhjet.

Kjo natyrisht ka rritur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe i ka bërë ata skeptikë ndaj premtimeve të zotit Berisha. Fatura e tyre financiare është afërsisht 200 milionë euro, pak më pak se sa akuzohet për shpërdorim fondesh ministri Lulzim Basha vetëm për njërin nga segmentet e rrugës Milot-Kukës. Duke e kuptuar këtë problem, dhe duke qenë në vitin e fundit elektoral, qeveria e zotit Berisha filloi të marrë disa masa propagandistike për të mbajtur të lidhur pozicionin e saj me këtë shtresë shoqërore. Në këtë fushatë u përdor dhe ligji për lustracionin, një ligj i paplotë, i cili fal ish-klasën komuniste në pushtet, dhe përqendrohet te gjyqtarë, ndihmësgjyqtarë dhe prokurorë të asaj kohe, për ta bërë sa më emocionale mbështetjen e të persekutuarve për nismën e qeverisë. I interesuar dukshëm që ligji të bllokohej dhe të vazhdonte debati mbi ligjin, zoti Berisha ka përfshirë në të nene të panevojshme që nuk ndihmojnë ish-të përndjekurit, por ndihmojnë persekutuesit e tyre për të bllokuar ligjin si antikushtetues. Kështu, është krejt e pakuptimtë që nga një anë zoti Berisha të bëjë lobing një vit më parë për të emëruar në krye të Gjykatës Vladimir Kriston, me votat dhe këmbënguljen e tij personale, nga ana tjetër të fusë në ligj një nen që ndalon Vladimir Kriston të shqyrtojë këtë ligj. Kjo mënyrë, gjoja diletante, në të vërtetë synon vetëm zhurmën për ligjin. Gjëja tjetër e pakuptimtë e këtij ligji janë tolerimet. Ligji është dukshëm i kritikuar nga organizatat ndërkombëtare, kurse procedura e miratimit të tij është kritikuar dukshëm nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Në këto kushte, Berisha nuk kishte pse hiqte sekretarët e partive apo ministrat e kohës së Enver Hoxhës nga ligji. Nëse ai duhet të bëjë kompromis me Perëndimin, le ta bëjë për gjithçka ose për asgjë. Kjo do të thotë që tolerimet për ato poste kryesore të komunizmit Berisha i ka bërë për interes të vet, pasi ato nuk i kanë zbutur kritikat e Perëndimit, por kanë zbutur problemet e miqve të Berishës dhe vetë atij.

Pavarësisht këtyre fakteve dhe talljes së kësaj qeverie me të persekutuarit e regjimit komunist, fiksimi i një date për memorien kundër komunizmit dhe ngritja e një instituti që do të merret me dokumentimin e krimeve kundër komunizmit do të ishin hapa seriozë që do të krijonin një arshivë të kësaj periudhe të errët të Shqipërisë, dhe do t’u shërbente së paku brezave të ardhshëm për të kuptuar ç’ka ndodhur dhe çfarë s’duhet të përsëritet më në këtë vend. Data 20 shkurt nuk duhet të mbetet si datë përkujtimi, por si datë refleksioni për historinë tonë të hidhur të komunizmit. Por që kjo datë të ketë vlerë, duhet doemos që Instituti për dokumentimin e krimeve të komunizmit të administrojë në mënyrë urgjente gjithë dosjet e gjyqeve politike, gjithë arshivat e vrasjeve në kufi, gjithë përpjekjet e disidenteve shqiptarë për çlirimin nga komunizmi dhe gjithë statistikat e njerëzve që kanë bashkëpunuar me regjimin. Vetëm një database e tillë profesionale dhe e dixhitalizuar do të na e bënte më të lehtë në të ardhmen të mos etiketonim njëri-tjetrin, por të bënim një ‘search’ të thjeshtë dhe të tregonim se ç’ka ndodhur.

Unë e di që zoti Berisha sot nuk do të flasë për ata që kanë vuajtur dhe persekutuar, por për përpjekjet e tij për të bërë një ligj në favor të tyre, por që komunistët nuk po e lënë. Sabotatori i parë i atij ligji është vetë zoti Berisha. Ai është vonuesi i atij ligji, shkatërruesi i parimeve të atij ligji dhe në fund keqpërdoruesi i pezullimit të këtij ligji. Një ligj i pezulluar kundër krimeve të komunizmit është vërtet një dhimbje për ata që kanë vuajtur, por një ligj i paplotë dhe hileqar si ky i zotit Berisha është një shans për të mos u keqpërdorur e drejta për të bërë një ligj të plotë kundër krimeve të komunizmit dhe një infrastrukturë shtetërore dhe kombëtare që të prodhojë një vizion për të ardhmen e një shoqërie të dekomunistizuar. 20 shkurti është dita kur duhet të reflektojmë dhe për djegien e shanseve për dekomunistizimin e vendit, nga ata që përfituan nga vuajtjet dhe hipoteka antikomuniste e një pjese të shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›