E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri përgatit fjalimet për Jalën

Nga Antena brenda familjes

Flamuri u angazhua dje gjithë paraditen me përgatitjen e diskutimeve për në Kuvend. E kishin paralajmëruar se ata maskarenjtë e opozitës do ngrinin e problemin e raportit të Bankës Botërore me Jalën. Kishte bërë gati disa teza diskutimi.

Teza e parë ishte që të thuhej se qeveria nuk është nën hetim. Thirri ministrin Alibeaj për konsultë, se nuk merr vesh shumë nga punët juridike.

- Si thua ti Enkelejd, - tha, - ta bëjmë si surprizë këtë që qeveria nuk është nën hetim nga Banka Botërore….?

- Nuk ka si të jetë qeveria nën hetim nga Banka Botërore dhe sikur të vrasë drejtorin e Bankës Botërore, - i tha Enkelejdi. - Një qeveri vihet nën hetim vetëm nga drejtësia e saj ose nga një gjykatë ndërkombëtare krimesh. Si do vihet nga një Bankë….?!

- Të drejtë ke, - i tha Flamuri, - por dëgjova atë burrin që tha dje: “Ja ku doli, nuk jemi nën hetim.”

- Të drejtën ka thënë, - i tha Enkelejdi, - nuk jemi nën hetim, por s’do të thotë që ka të drejtë të na hetojë Banka.

- Epo ra kjo tezë, - tha Flamuri. - Çfarë t’u themi ndonjë gjë tjetër?

- Unë them të fokusoheni te lidhjet e Bankës me mafien e betonizimit, - tha Enkelejdi. - E kishte mirë ai burri.

- Ja, po e provoj njëherë, - tha Flamuri. - Se këtyre deputeteve të mi duhet t’ua shkruash gjithë gjërat, se i ngatërrojnë. Janë bërë dhe të poshtër. Nuk t’i lexojnë. Vetëm këtë të Mamurrasit kam që m’i lexon çfarë i shkruaj. Ky është njeri pa fjalë. Shkruaj çfarë të duash, dhe gomari fluturon po deshe, e lexon. Të tjerët kanë tangërllëk. Jemi intelektualë ne, thonë, e shkruajmë vetë. Dhe dalin aty gëk- mëk, s’thonë asnjë fjalë. Po sot ua kam gjetur. I marr të gjithë me telefon dhe u them: Fola me atë burrin dhe me tha që ti e njeh mirë problemin e Jalës dhe do flasësh, se po hedhin shumë baltë mbi Jamarbërin. Sa u them emrin, dridhen të tërë në telefon. Është bërë radhë e madhe për të folur. Tani, me sa di unë nga ai burri, Edi Rama është aksioner te një firmë që i janë prishur interesat nga projekti i Jamarbërit, apo jo?

- Dhe unë nga ai e dëgjova, - tha Enkelejdi.

- Unë them ta bëjmë aksioner në gjithë bizneset e fshatrave turistikë që janë projektuar nga Jala në Ksamil.

- Po kush do ta lexojë këtë? - i tha Enkelejdi.

- Këtë e lexon ai i Mamurrasit, - tha Flamuri. - Dy fjalime të tjera do t’i kemi për armiqtë e Bankës Botërore që sulmojnë Jamarbërin. Njërin e lexon Sokoli, tjetrin po ia jap Aldo Bumçit, se ai s’çan kokë po është fjala për Jamarbërin. Pastaj do kemi një fjalim pro atij burrit. Këtë them ta bëjë ai Bujar Leskaj, se ma ka kërkuar disa herë si nder. Kundër këtij biznesmenit të ndërtimeve, të flasë ky Ad Kollozi, se ky është ndërtues dhe ia di hilet zanatit. Në rregull duket me kaq, - tha. - Si të duken ty Enlekejd?

- Mirë më duken. Po shumë konflikte po ndodhin kot më kot. Konflikt me Bankën Botërore, konflikt me Këshillin e Evropës, konflikt me BE, konflikt me SHBA. S’na u ndanë sivjet këto konflikte.

- Është vit i keq, - tha Flamuri. - S’e ka fajin ai burri. Ti shiko se ç’bëhet në qiell, janë përplasur dy satelitë, gjë që s’ka ndodhur kurrë. Gjithë ai qiell, ata venë e përplasen me njëri-tjetrin. Po ashtu, dy nëndetëse u përplasën në oqean. Gjithë ai oqean, ato shkojnë përplasen me njëra-tjetrën. Dhe ai burri s’ka faj. I tërheq konfliktet ai, s’ke ç’i bën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›