Përfaqësuesit e qeverisë: Banka Botërore i prishi shtëpitë
Përfaqësuesit e qeverisë kanë deklaruar dje në Kuvend se prishjen e ndërtimeve pa leje e kërkoi Banka Botërore.
Gjatë seancës së djeshme parlamentare, fillimisht ishte ministri i Financave, Ridvan Bode, që tha se ndërtimet në Jalë i kishte prishur Banka Botërore. Më pas ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se nisja e prishjes së ndërtimeve ka nisur që në vitin 2004, kur në pushtet ishin socialistët. Ai tha se prishja e ndërtimeve është bërë në përputhje me ligjin dhe projektet me Bankën Botërore. “Prishja e ndërtimeve në këtë zonë nga viti 2004, kur vendi drejtohej nga socialistët, e deri më sot, është bërë absolutisht në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje totale me projektet që ne kemi pasur me BB”, - tha Olldashi.
Ministri tha se Banka Botërore kishte parashikuar blerjen e pajisjeve për Policinë Ndërtimore që ajo të prishte ndërtimet. “Që nga viti 2004 saktësohet nga BB se qeveria duhet të fillojë me heqjen e ndërtimeve të paligjshme dhe atëherë keni qenë ju (socialistët), në pushtet. Në vitin 2004 e 2005, kur PS vazhdonte të ishte në pushtet, BB parashikoi blerjen e pajisjeve për Policinë Ndërtimore, pikërisht në funksion të detyrës për prishjen e ndërtimeve të paligjshme. Ndërkohë, që në dokumente të viteve 2006-2007 u kërkua fotografimi ajror i zonës, me qëllim verifikimin e ndërtimeve të paligjshme”, - tha Olldashi.
Sipas tij, Banka Botërore ka bërë një hetim të pavarur dhe ka arritur në përfundimin se veprimet janë të ligjshme. “Auditi i pavarur, i kontraktuar nga BB, i gjeti plotësisht të ligjshme të gjitha procedurat dhe veprimet e Policisë Ndërtimore. Që nga viti 2004-2007 vetëm në zonën e Bregut janë prishur rreth 300 ndërtime të paligjshme, të përfshira në projektin e Jugut”, - tha Olldashi.
“Një ditë më parë, kryeministri, Sali Berisha, i quajti mafiozë përfaqësuesit e Panelit të Inspektimit që hetuan për skandalin me projektin e Jugut.
Raporti i BB thotë se Inspection Panel nuk ka pasur dhe nuk ka mandat tjetër përveç hetimit të veprimtarisë së Bankës. Por, çfarë ka ndodhur me Inspection Panel? Ka ndodhur korruptimi i tij në pjesën për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur te pika e “mjaltit”. Qeveria ime, “Edil Edilit”, që kishte shpallur Jalën si fshat të vetin turistik dhe “Edil Veqilit” që kishte shpallur Ksamilin si fshatin e vet turistik, etj., u tha: Jo! Këto gjëra i keni bërë me Artan Lamen dhe me Partinë Socialiste. Ne nuk njohim “njolla”. Këtë e bëjmë për të bërë një projektplan të paqortueshëm. Të gjitha “njollat” janë atribut i autoriteteve vendore. Ndërkohë që këta që kishin gllabëruar Jalën, duket se i futën ca pará në xhep edhe Inspection Panel dhe doli që ai shkroi sikur këto njolla i kishte vendosur qeveria ime, në një kohë kur këto njolla ishte pikërisht qeveria ime që i hoqi. Pra, ishte një koluzion i mafies së betonimit të zonës së Bregut me anëtarë të Inspection Panel”, - tha Berisha.
Olldashi: Banka Botërore s’po na heton neve
Ashtu siç dhe pritej, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi dje në Kuvend se qeveria nuk po hetohet nga Banka Botërore për skandalin e projektit me bregdetin. Edhe pse Banka Botërore ka pezulluar këtë projekt, ka bërë një raport të detajuar me shkelje të forta, ku shfaqet emri i dhëndrit të kryeministrit Sali Berisha, për Olldashin Banka e ka nxjerrë të larë qeverinë shqiptare, kjo për shkak se ajo ka deklaruar atë që është normale për të, se ajo nuk mund të hetojë qeverinë shqiptare. “Ju akuzuat qeverinë për korrupsion në Jalë. Por, ashtu si pritej, raporti i BB thotë se “askush nga zyrtarët e qeverisë apo anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk po hetohet për korrupsion. Dhe pas kësaj ju duhet të kërkoni ndjesë”, - tha Olldashi.
“Ka pasur një debat për Jalën dhe një mal me spekulime që lidhen me emrin e drejtorit të këtij projekti, vetëm për faktin se ai është dhëndri i Sali Berishës. Në fakt, BB ua rrëzoi argumentet dhe duhej të ishte në dinjitetin tuaj (opozitës), që sot të kërkonit ndjesë dhe nisur nga ky fakt të merrnit përsipër një përgjegjësi tjetër”, - vijoi më tej ministri.
Olldashi tha se në këtë mënyrë, opozita po nxit shkeljen e ligjit. “Si mundet që një opozitë, në mënyrë kolegjiale, të ngrihet e të stimulojë shkeljen e ligjit në emër të luftës në parlament. Ju duhet të kërkoni falje për mënyrën se si e trajtuat projektin e Jalës”, - tha Olldashi.
PS: Reagimi i qeverisë, i turpshëm
Socialistët e kanë quajtur të turpshëm qëndrimin e qeverisë dhe kryeministrit, Sali Berisha, ndaj raportit të Bankës Botërore. “Na vjen turp për nivelin mizerabël, me të cilin kjo qeveri e korrupsionit e përfaqëson Shqipërinë në raport me botën e përkatësisht me Bankën Botërore. Na vjen turp që qeveria, jo vetëm nuk merr përgjegjësinë e saj të pambulueshme për menaxhimin skandaloz të projektit, por përpiqet të mbulojë mëkatin e vet duke akuzuar Bankën Botërore, madje edhe opozitën.
Menaxhimi skandaloz lidhet me qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha dhe me njësinë e menaxhimit të projektit të drejtuar nga dhëndri i Sali Berishës. Kush ka sy, shikon. Kush ka veshë, dëgjon. Dhe shqiptarët jo vetëm shohin e dëgjojnë më mirë se ç'kujton Sali Berisha që i gënjen çdo ditë, por edhe do votojnë më 28 qershor ashtu siç nuk ia rrok mendja Sali Berishës”, - tha zëdhënësja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli.
Ndërsa deputeti socialist, Taulant Balla, tha dje se dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, mashtroi opinionin publik në një intervistë në VOA, kur tha se nuk kishte lidhje me urdhrin për prishjen e ndërtimeve në Jalë. Balla tha se nëpërmjet dy letrave dërguar Policisë Ndërtimore, dhëndri i kryeministrit ka kërkuar prishjen e ndërtimeve në Jalë dhe urdhrin e ka lëshuar duke përdorur emrin e Bankës Botërore. Balla tha dje gjithashtu se qeveria shqiptare dhe Sali Berisha u munduan të fshehin abuzimet që kanë kryer me projektin e BB në Jalë, duke akuzuar njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje. Balla tha se përgjegjësi për koordinimin e projektit të financuar nga Banka Botërore është Jamarbër Malltezi, me një zyrë në Ministrinë e Punëve Publike dhe dhëndri i kryeministrit Berisha. Balla kërkoi që Berisha të sqarojë publikisht se përse në mars 2007, vetëm pak javë përpara shkatërrimit të Jalës, dhëndri i tij i dërgoi një letër Policisë Ndërtimore, duke u bazuar në projektin e Bankës. “Sipas raporteve të Panelit, kjo letër diskutonte prishjen për shkaqe të zhvillimit dhe kërkonte ndihmën e policisë për një veprim sa më shpejt të ishte e mundur. Bashkangjitur letrës ndodheshin edhe dy disqe që përmbanin fotografi ajrore, të kryera me paratë e Bankës Botërore, që tregonin shtëpitë që duhet të prisheshin. Në një letër tjetër, Malltezi tha se i ka dhënë Policisë Ndërtimore aparate dixhitale dhe kompjuterë për të kontrolluar situatën në terren. Gjithashtu, i ka dhënë makina të financuara me paratë e Bankës, që të transportonin dhe hiqnin mbetjet e shkatërrimeve. Më tre prill 2007, banorët u njoftuan se do t'u prisheshin shtëpitë. Atyre u dha pesë ditë kohë që të apelonin në gjykatë, gjë të cilën ata e bënë, por Policia e Ndërtimit nuk priti gjykatën. Ata rrethuan fshatin dhe brenda katër ditësh, duke nisur nga 17 prilli, shkatërruan komunitetin, edhe pse banorët u përpoqën që të bënin rezistencë, duke qarë e bërtitur. Sipas hetuesve, banorëve u tha se duhet të ishin të lumtur që Banka Botërore do t'u jepte shtëpi dhe jetë më të mirë. Në një intervistë për VOA, Malltezi ka deklaruar se në projektin e BB nuk përfshihet asnjë plan për prishjen e banesave dhe ka theksuar se nuk i ka dhënë asnjë udhëzim Policisë Ndërtimore. Por një javë pas prishjeve në Jalë, në këtë sallë ministri përgjegjës pas reagimit të një deputeti ka thënë si më poshtë: “Banka na e kërkoi”, - tha dje Balla.