Kriza, bankat shtrëngojnë rregullat për kreditë
Dhënia e kredive është shtrënguar në mënyrë të ashpër nga Banka Qendrore në vend. Një rregullore e re i detyron të gjitha bankat e nivelit të dytë që t’i japin çdo klienti që në fillim, para se atij t’i miratohet kredia, një model të kontratës ku numërohen të gjitha detyrimet dhe ku njoftohet e gjithë kostoja e kredisë. Veç kësaj bankat do të informojnë ende pa u miratuar kredia çdo klient në lidhje me të gjitha kushtet e kredive dhe sidomos me detyrimet që do të bien mbi të. Banka Qendrore tha dje se ajo e bën këtë gjë për të rritur transparencën dhe për kthyer mbrapsht çdo klient, i cili e kupton që në fillim se çfarë detyrimesh bien mbi të. Në fakt, Banka Qendrore është e trembur nga dhënia e kredive, pasi numri i kredive të këqija në një kohë të vështirë ekonomike si kjo e sotmja është me shumë gjasa në rritje dhe mund të marrë përmasa edhe më të mëdha. Që të gjitha bankat do ta kenë detyrim ligjor dhënien e këtij lloj informacioni dhe për këtë projektligji është në përfundim. Çdo klient do të dijë që në fillim, pa e marrë ende kredinë, se sa do të paguajë ai çdo muaj, sa pjesë e kësaj pagese i përket normës së interesit dhe sa është në të vërtetë kostoja e kësaj kredie. Është e qartë se këto janë masa shtrënguese dhe se këto masa synojnë të shmangin kreditë që do ta bënë më të prekshëm sistemin bankar në vend. Kjo do të bëjë që sasia e kredive që shkojnë për ekonominë të bjerë edhe më, ndonëse vlerësimet për këtë nuk mundet të përcaktojnë ndonjë nivel. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë me dije se sasia e kredive ka rënë nga 45% që ishte në verën e kaluar në 20%. Arsyet për këtë rënie të sasisë së kredive janë kërkuar te shtrëngimi i që i kanë bërë bankat për shkak të krizës ekonomike botërore, e cila i ka dhënë disa efekte në ekonomi, por ka rrëzuar edhe besimin e konsumatorit dhe treguesin e tendencës ekonomike sipas Bankës së Shqipërisë. Ekonomia shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit ka marrë kredi në sasia të shumë të mëdha nga sistemi bankar dhe kjo ka qenë një nga zhvillimet më të mira. Dhënia e kredive është rritur në më shumë sesa 3 herë krahasuar me vitin 2004. Me gjithë këtë rritje përsëri në krahasim me vendet e rajonit sasia e kredive që ka marrë ekonomia ka qenë më e ulët. Ulja e tanishme e kredive dhe shtrëngimi i rregullave nga Banka Qendrore do të ndikojë edhe në financimin e ekonomisë, e cila do ta reflektojë këtë gjë.