E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS zyrtarizon kërkesën: KQZ-ja të riformulohet

Kryetari i PS-se, Edi Rama / Foto arkiv

Skerdilajd Zaimi

Partia Socialiste ka ripërsëritur dje kërkesat e veta sa i përket reformës Zgjedhore. Kryetari i saj, Edi Rama, ka bërë të ditur në mbledhjen e Grupit Parlamentar se, për sa i përket amendimeve në Kodin Zgjedhor, PS-ja ka shqetësime kryesore: listat, administrimin, procedurën ankimore, verifikimin e kartës së identitetit dhe numërimin. Prej të gjitha këtyre çështjeve, ai është ndalur tek administrimi duke trajtuar me përparësi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas tij, PS-ja mendon se ka nevojë për  riformulim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një qasje që replikon edhe me deklarimet e Kryeministrit Sali Berisha një ditë më parë.  Nuk besoj se ka shqiptar që të mos mirëkuptojë qëndrimin tonë se KQZ-ja duhet të riformulohet dhe padyshim të zgjidhet mbi bazën e riformulimit, tha kreu i PS-së. Ka një fakt që e bën të paqartë qëndrimin socialist në këtë pikë. Lënia për në fund e temës së KQZ-së dhe e procedurave ankimore, duke ditur shumë mirë se këtu qëndron edhe kontradikta më e madhe, është një sinjal që lë të kuptohet për një tërheqje të socialistëve.

Vetë Rama i ka shumë të rralla daljet për KQZ-në, e cila po sipas tij, e penalizoi tërësisht procesin zgjedhor në vitin 2011, por që deri më tani mbetet e pacenuar dhe e imunizuar nga ndërhyrjet radikale. Pranimi nga ana e PD-së i të gjitha propozimeve të socialistëve, në dritën e kundërshtimit të tanishëm të Berishës, merr kuptimin edhe të një taktike, e cila kërkon ta kthejë mosbesimin e PS-së për KQZ-në në një akt publik që prish konsensusin.

Kjo mund të kuptohet më mirë po të shihet se vetë Berisha është prononcuar për çështjen e Kodit Zgjedhor, vetëm për sistemin dhe KQZ-në. Këtu me sa duket duhet kërkuar edhe skenari eventual elektoral i vitit 2013.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›