E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhënia me koncesion e Portit të Kontejnerëve në Vlorë, rrezikon dështimin



Tenderi për dhënien me koncesion të Portit të Konteinerëve në Pyllin e Sodës në Vorë, rrezikon dështimin e tij, për shkak të paraqitjes në këtë tender të vetëm një firme. Ligji “Për tenderimet dhe dhënien me koncesion” nuk lejon që në të tillë tendera të paraqitet vetëm një firmë dhe po ajo të shpallet fituese. Dje Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, njoftoi se në orën 11.00, në mjediset e ministrisë u zhvillua procedura konkurruese për dorëzimin e ofertave për "Dhënien me Koncesion të Portit të Konteinerëve në Pyllin e Sodës, Vlorë". Në këtë tender të hapur u paraqit vetëm kompania “ZUMAX AG”, e cioa paraqiti ofertën gjatë kësaj procedure. Kompania “ZUMAX AG” është kompania që ka nisur procesin duke paraqitur propozimin e pakërkuar për këtë koncesion. Në bazë të VKM nr.99, datë 27.01.2009, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të Portit të Konteinerëve në Pyllin e Sodës, Vlorë dhe Miratimin e Bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet si propozim i pa kërkuar shoqërisë”, kjo kompani do të përfitojë dhe nga bonusi prej 8 për qind të pikëve. Oferta e dorëzuar do të vlerësohet bazuar në kriteret e përzgjedhur të përcaktuar në dokumentacionin standard të kësaj procedure, të njohur nga subjekti konkurrues. Njoftojmë, se në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006, "Për Koncesionet", të ndryshuar, dhe VKM nr.27, datë 19.01.2007, "Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies se koncesioneve", kreun IX pika 2, shkronja "c". Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertës së paraqitur brenda afateve dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi. Koncesioni nëse do të kemi një fitues për këtë procedurë konkurruese do të jepet për një afat kohor 35 vjeçar. Ofertuesi sipas ofertës së paraqitur ka depozituar 2 për qind të vlerës së ofertës sipas ligjit në varësi. Vlera e investimit për fazën e parë është parashikuar 92 miliardë lekë dhe i gjithë projekti kap vlerën e 182 miliardë lekëve.

Premtimi: Riparimi i superstradës Tiranë-Durrës përfundon brenda 20 ditëve

“Brenda 20 ditësh do të jetë gati autostrada Tiranë-Durrës, e cila që nga muaji janar iu nënshtrua një rikonstruksioni të thellë”. Këtë e ka deklaruar dje Ministri i Transportit Sokol Olldashi, gjatë inspektimit të punimeve në këtë superstradë ku ka kërkuar dhe mirëkuptimin e qytetarëve për problemet e krijuara në trafik për shkak të punimeve. Olldashi tha se në përfundim të këtij rikonstruksioni autostrada mund të konsiderohet si një rrugë e re, sepse "po përdoret një teknologji e re asfalti që do të jetë më rezistente dhe më elastike". Rikonstruksioni i autostradës Tiranë-Durrës, është një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 600 milionë lekë, dhe ndërhyrja konsiston në të gjithë gjatësinë e segmentit prej 32 km nga Tirana në Durrës. Punimet po kryhen nga firmat “Euroteorema” dhe “Salillari” ndërsa supervizioni bëhet nga MPPTT-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Për shkak të rikonstruksionit në autostradën Tiranë-Durrës, trafiku dhe qarkullimi i automjeteve po bëhet në një korsi, i alternuar. Punimet për ndërtimin e superstradës Tiranë-Durrës përfunduan në muajin qershor të vitit 2001. Kjo superstradë filloi të ndërtohet në vitin 1993 dhe ka një gjatësi prej 32 km.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›