Dheu e gurët bllokojnë hekurudhën
LIBRAZHD/ ALDI KOZARIA
Njoftimi në kohë i makinistit të trenit, që transportonte pasagjerë drejt Pogradecit ka shmangur një tragjedi paraditen e djeshme. Një masiv dheu e gurësh rrëshqitën papritur mbi linjën hekurudhore, që kalon në afërsi të Librazhdit dhe mbi një pjesë të rrugës nacionale Librazhd-Qafë Thanë. Makinisti ka bërë ndalimin në kohë, para se të kalonte në pjesën e bllokuar, ku për 4 orë çdo lëvizje është paralizuar. Bllokimi ka ardhur si pasojë e rrëshqitjes së masivit të dheut, në zonën e njohur si kthesat e Dragostunjës, rreth orës 10:45. Sasia e dheut, e shkëputur nga kodrat në një lartësi të konsiderueshme ka përfunduar mbi trasenë që ndodhet pikërisht poshtë kësaj zone. Kalimtarë të rastit kanë njoftuar menjëherë për bllokimin e këtij segmenti policinë e Librazhdit, e cila ka mbërritur në vendngjarje bashkë me drejtues rajonalë të hekurudhave. Ndërsa kanë njoftuar trenin e linjës, i cili ishte nisur nga Tirana, me shpejtësi ka nisur puna për të zhbllokuar linjën hekurudhore dhe korsinë e rrugës, e cila ka sjellë pasoja për qarkullimin e automjeteve për gati 3 orë. Ndërmarrja e rrugëve ka pastruar për një kohë të shkurtër rrugën, por vështirësi ka hasur në pjesën e linjës hekurudhore. Për pastrimin e saj është dashur një mjet i rëndë, i cili ka mbërritur me vonesë për shkak se Drejtoria e hekurudhave nuk e dispononte një të tillë. Si pasojë, treni i linjës Tiranë–Pogradec ka mbetur i bllokuar për gati 4 orë dhe vetëm pas kësaj kohe ka vijuar rrugën drejt destinacionit final, qytetit të Pogradecit. Në vendin e bllokuar nga rrëshqitja e dheut kanë qenë të pranishëm dhe forcat e policisë së Librazhdit, të cilat janë përpjekur të normalizojnë qarkullimin e automjeteve që u bllokuan derisa u pastrua rruga. Për fat, në momentin e rrëshqitjes në këtë segment nuk ka pasur qarkullim mjetesh, sepse nëse një gjë e tillë do të kishte qenë prezente atëherë gurët e rënë nga mali mund të kishin shënuar viktima. I gjithë segmenti hekurudhor Librazhd–Përrenjas gjatë gjithë ditës së djeshme ka qenë nën mbikëqyrjen e rreptë të specialistëve të hekurudhave, pasi reshjet e shiut mund të provokonin rrëshqitje të tjera. Lëvizja e trenave në këtë segment pritet të normalizohet në ditët në vazhdim atëherë kur të jetë dhënë “OK”-i nga ana e specialistëve.
Disa nga udhëtarët që ndodheshin në trenin e linjës Tiranë–Pogradec e kanë braktisur atë për të udhëtuar drejt destinacioneve të tyre me mjete të rastit. Kanë qenë afro 30 udhëtarë që kanë bërë një gjë të tillë, pasi nga ana e specialistëve të hekurudhave nuk ka pasur një përgjigje se kur mund të zhbllokohej rruga mbi të cilën do të kalonte treni i udhëtarëve.