Tiranë, i lënë “Porche”-in ta ruajë, e shet për 20 mijë euro
TIRANE – Pronari i një makinë luksoze “Porche Cayene” e ka lënë automjetin në ruajtjen e një të njohuri të tij, pa menduar se pikërisht ai do të ishte autori i vjedhjes. Policia tha dje se arrestoi një person me akuzën se ka shitur automjetin luksoz, që i ishte lënë ta ruante nga pronari i automjetit. Burimet zyrtare thanë se specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme përgjatë orëve të mbrëmjes kryen ndalimin e Shkëlqim Mustafa Koçit, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. “Ndalimi i tij është bërë pasi i dyshuari kishte shitur me çmimin e 20 mijë euro, mjetin e tij tip “Porche Cayene”, me targa TR 2323 K, shtetasit A.P. Mjeti ka qenë në ruajtje dhe shtetasi i lartpërmendur ishte paralajmëruar për mos shitjen dhe tjetërsimin e tij”, thanë burimet zyrtare nga policia e kryeqytetit. Sipas tyre, personi i arrestuar dyshohet se ka falsifikuar certifikatën e tij, sikur ishte banor i njësisë administrative nr.5 Tiranë. Pas ndalimit të personit të dyshuar mësohet se policia ka zhvilluar hetimet paraprake dhe materialet hetimore në ngarkim të Shkëlqim Koçit i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “falsifikim të akteve të gjendjes civile” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.