Gjyqi ndaj të rinjve nacionalistë, protesta shpërngulet në Gjirokastër
GJIROKASTER - Paralajmërohet një tubim madhështor në Gjirokastër ditën e nesërme, në mbështetje të dy të rinjve tepelenas, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët akuzohen për tubim të paligjshëm. “Atdheu dhe flamuri na përket të gjithëve”, ka qenë kjo thirrja anonime drejtuar qytetarëve gjirokastritë përmes një fletushke në krye të së cilës qëndronte flamuri shqiptar. Në këtë thirrje ftohen të gjithë shqiptarët të mblidhen në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, “për të protestuar ndaj gjyqit të shtirur ndaj të rinjve, që ngritën flamurin shqiptar dhe kundërshtuan sipas tyre, veprimtarinë antishqiptare të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe prefektit të Gjirokastrës Spiro Ksera”, thuhet ndër të tjera në fletushkën e cila duket se është shpërndarë nga aktivistë të shoqatave atdhetare shqiptare. Pothuajse të gjitha automjetet e parkuara në bulevardin e lagjes “18 Shtatori” janë pajisur me fletushka, përmbajtja e të cilave, në ndryshim me herët e tjera, nuk kishte thirrje ekstremiste nacionaliste shqiptare antigreke, por thjesht thirrje për tubim.