E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përkthimi i detyruar i Attilio De Gasperi

07/05/2005  Java evropiane

Në javën evropiane, Instituti Italian i Kulturës dhe ambasada italiane shfaqin filmin e dramës shqiptare “Saimiri”, me regji të Fancesco Munzi-t dhe kast aktorësh italo-shqiptarë; filmi është vlerësuar me çmim si në Festivalin e Venecias, si filmi i parë më i mirë, ashtu dhe në Festivalin e Berlinit

Ndoshta drejtorit të Institutit Italian të Kulturës, Attilio De Gasperi-t i duhet të afishojë mirë nëpër muret e institucionit të tij, me rezidencë në Tiranë, se gjuha zyrtare në Shqipëri është gjuha shqipe. Dhe se gjuha italiane nuk është zyrtarizuar në vendin tonë.

Kjo kujtesë nuk vjen nga rastësia, por kur dje u shfaq premiera e filmit italian “Saimiri”, fenomeni i “gjuhës italiane” u shfaq sërish. Gati dy orë film, me regji të Francesco Munzi-t, ku luanin dhe dy aktorë shqiptarë, nuk ishte vendosur asnjë fjalë nën titra. Filmi alternohej në të dy gjuhët dhe përkthimi nuk bëhej as në shqip e as në italisht. Megjithëse dukej që regjisori Munzi ishte përpjekur që të sfumonte intensitetin e dialogut, të gjuhës, ndoshta i detyruar dhe nga ky bashkëpunim italo-shqiptar në skenarin modest të filmit.

Ndërsa përfundimin “shok” të filmit, drejtori i Institutit Italian nuk mund ta transmetonte në shqip. Ka kohë që De Gasperi, që nga marrja e mandatit, në paraqitjen e tij zyrtare, e ka zët të përkthehet para gazetarëve në gjuhën shqipe. Këtë lloj integrimi, sidomos në kuadrin e javës evropiane, na e ofron vendi fqinj i ynë, gati në një tendencë, medoemos për ta bërë “si zyrtare”. Qoftë kjo tendencë personale e drejtorit të Institutit Italian të Kulturës!

Sa për filmin, duket se më shumë ishin trembur vetë përfaqësuesit që kishin sjellë filmin në Shqipëri, ndoshta për faktin se mos reagon publiku shqiptar nga skenat e rënda, dhe jo aq të dhunshme. Bota evropiane e filmit, apo ajo hollivudiane, ka dhe më zi në përdhunime. Për publikun shqiptar, kjo troket si një produksion i rëndë që i mbivendoset dramës që ka kaluar. Thjeshtë dhuna është e rëndë dhe që në film sjell atmosferë mjaft të zymtë. Ndërsa imazhi i filmit nuk i takon aspiratave të këtyre viteve që ka vendi ynë, ndoshta disa vite më parë do të ishte një çekan në ndërgjegje. Kurse sot mundohet t’i largohet për të ngritur një model krejt tjetër përpara Evropës.

Filmi përqëndrohet në një familje shqiptare. At e bir që jetojnë si refugjatë në Itali. Aktori Xhevdet Ferri, luan në rolin e babait të Saimirit, ky një aktor tjetër shqiptar, tepër ri, me emrin Mishel Manoku. Në film luajnë dhe aktorët Lavinia Guglielman e Anna Ferruzzi, të cilët shkojnë në atmosferën e historisë së të riut emigrant shqiptar, i cili jeton në Itali me të atin. Jeta e tyre e varfër është e ndarë në dysh, midis ndërgjegjes dhe ekzistencës. Me dialog të tendosur, at e bir bëjnë jetën e refugjatit në mënyrë të dyshimtë. Edmondi (Xhevdet Ferri) shfaq përpjekje për të sjellë në terezi familjen, për të bërë martesë me një grua italiane, por që kundërshtohet nga i biri. Kamioni i mbuluar, shofer i të cilit është aktori shqiptar Ferri, shpesh ngjall dyshime, por vetëm në fund të filmit arrin pikën kulmore. Kur babai i Saimirit transporton një prostitutë moldave në koliben ku strehoshin trafikantët e mishit të bardhë, që kishin për kapo një shqiptar e një italian.

Linja e Saimirit, aktorit Manoku, është më e përqëndruar. Regjisori e ka çuar aktorin shqiptar deri në kasollet e një grupi refugjatësh romë, të cilët nuk merren me gjë tjetër, veç me grabitje të rëndomta shtëpish. Saimiri vetëm për pak kohë tërhiqet pas një adoleshenteje italiane, dhe për një moment përjeton ndjesi të tjera për veten e tij. Sepse rruga për t’i fituar zemrën vazjës së bukur italiane, plot dlirësi, është tërësisht vetëvrasëse. Përbuzja që i bën italianka e bukur, e zhyt në zhgënjim dhe idhnim Saimirin, deri atje sa nuk kupton se është bashkuar me një grup njerëzish, jo të origjinës së tij, të rëndomtë. Por nuk është kjo arsyeja që e kthen në ndërgjegje Saimirin. Kur bëhet dëshimtar i trafikimit të vajzës moldave, ku i ati u bë bashkëpunëtor i trafikantëve, Saimiri vendos që të zgjedhë jetën e tij, megjithëse është një kthim në ndërgjegje jashtë lidhjeve të gjakut, kur bën denoncimin në polici të keqbërësve, ku nuk kursen as ndjeshmërinë për të atin. Në këtë pikë, ndoshta mund të mbahet ky film si tronditës.

Java evropian, grekët sjellin “Nuset”

Ambasada e Greqisë në Tiranë, në kuadrin e veprimtarive për Java Evropiane 2005, do të organizojë disa aktivitete kulturore dhe artistike. Sot në mbrëmje, në Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë, do të organizohet shfaqja e filmit të fundit “Nuset”, të regjisorit Pandeli Voulgari. Historia e këtij filmi është mjaft interesante. Në verën e vitit 1922, fotografi Norman Harris dhe grekja Niki udhëtojnë drejt Amerikës me të njëjtin superoqeanik. Norman në radhën e parë dhe Niki në të tretën, bashkë me rreth 700 nuse të tjera. Të gjitha ato mbajnë me vete fotografinë e një dhëndri, të cilin nuk e kanë parë kurrë si edhe fustanin e nusërisë. Norman emocionohet shumë kur shikon nuset e radhës së tretë dhe i bën përshtypje sidomos Niki, me të cilën njihet dalëngadalë dhe dashurohen të dy. Anija superoqeanike “SS King Alekxander” mbërrin në portin e Nju-Jorkut. Në kuvertën e anijes shkruhet dhe epilogu i lidhjes mes Normanit dhe Nikit.

Historia e filmit është historia e ndjenjave të fuqishme, e dilemave dhe e përgjegjësive. Është historia e çasteve të vogla, për vështrimet dhe prekjet që mund të shkëmbejnë mes tyre dy njerëz, për “po” dhe “jo” që ndikojnë në jetë. Është një film që i referohet një çasti tronditës në historinë greke, atë të emigrimit.

Një veprimtari tjetër me shumë interes është dhe koncerti i këngës moderne greke dhe evropiane, i cili do të jepet në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura, ditën e hënë, më datë 9 maj në orën 17.00. Në repertorin e këtij koncerti do të interpretohet muzikë e kompozitorëve të mëdhenj grekë, si Mano Haxhodhaki, Miki Theohoraki si dhe të kompozitorëve të tjerë modernë, dhe këngë greke tradicionale e këngë të njohura evropiane. Të gjitha këto do të jenë nën interpretimin e një tresheje artistësh grekë, Gianna Kacageorgi, Mano Dheloti dhe Irakli Konto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›