E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manikyri sipas llojit të thoit?

08/05/2005  Thonj të shkurtër, thonj të zverdhur, thonj me rripa... probleme të vogla, të zakonshme dhe sigurisht jo estetike.

Por si duhet të veprohet në raste të tilla, për të pasur gjithmonë thonj të bukur?

Thonjtë e shkurtër

Shpeshherë të qëllon që thonjtë të thyhen. Por si t’ia bëjmë kur kjo nuk ndodh rrallë, por gjithnjë e më shpesh?

Si të veprojmë kur thonjtë thyhen dhe nuk arrijnë kurrë të rriten për t’i dhënë një formë të bukur dhe atë që preferojmë? Në raste të tilla, problemi duhet parë nga brenda, duke u siguruar se do të ndiqni një dietë të ekuilibruar, të pasur me proteina, minerale.

Një tjetër problem është zakoni i keq i të kafshuarit të thonjve. Ky është një ves që, më shumë se nga mërzia, zakonisht stimulohet nga një gjendje shpirtërore jo e mirë, nervozizëm, ankth apo stres. Ndërsa përballimi i këtij problemi, ndoshta është në pamje të parë shumë i thjeshtë, të evitohen momentet e stresit. Por meqë kjo shumë herë është e vështirë për t’u realizuar, ja një këshillë e mirë për të kaluar situatën dhe, ndoshta për të shpëtuar një herë e mirë nga ky ves, që duhet thënë se është i shëmtuar. Për lyerjen e thonjve këshillohet të përdoret një manikyr i veçantë, që ka një aromë dhe shije të keqe, aq sa të të kujtojë të mos kafshoni më thonjtë. Një tjetër metodë shumë e efektshme është edhe mbajtja e një çumçakizi, në mënyrë që stresi të kalohet duke përtypur çumçakizin. Shpeshherë kafshimi i thonjve shërben për shplodhjen e muskujve të fytyrës, që në momentet e stresit janë shumë të tendosura. Ndërkohë që për të realizuar këtë mjafton të përtypin edhe një çumçakiz, pa pasur nevojën e thonjve, pasi një nga shkaqet kryesore të thonjve të shkurtë është edhe kafshimi i tyre. Në rast kur keni thonj të shkurtër, është shumë e rëndësishme lyerja e tyre. Kështu për këto lloj thonjsh këshillohet të mos jenë shumë të dukshëm. Në rastet kur thonjtë janë të shkurtër dhe të çrregullt evitoni theksimin e tyre. Pra, jo manikyrëve me ngjyra të forta dhe të shkëlqyeshme, ndërsa këshillohet të mos lyhet i gjithë thoi, por duke lënë një rrip të hollë nga të dyja anët të palyer. Kjo do të bëjë që thoi të duket më i hollë dhe më i gjatë.

Thonj me rripa

Ka thonj që duket sikur janë të shtresëzuar apo rripa-rripa, që mund të jenë për së gjeri apo për së gjati.

Rripat horizontale shpeshherë mund të shkaktohen edhe nga sëmundje, nga përdorimi i medikamenteve apo edhe nga probleme të përkohshme, që janë shfaqur gjatë rritjes së thoit. E rëndësishme është të përcaktohet shkaku i tyre, dhe për ta arritur këtë, është e nevojshme t’i drejtoheni mjekut të familjes. Ndërsa për rripat vertikalë, në gjatësinë e thoit, mund të krijohen me kalimin e viteve. Ashtu siç ndodh me njeriun, edhe thoi plakjet. Me plakjen e tyre thonjtë humbasin elasticitetin dhe bëhen si lëkura, më pak të hidratuar. Në raste të tilla këshillohet përdorimi i një kremi të veçantë apo një vaj që është posaçërisht për thonjtë, që duhet të përdoret rregullisht.

Për thonjtë me rripa këshillohet përdorimi i një manikyri të veçantë, që arrin të zbusë sipërfaqen e thoit. Pas saj, duke përdorur një manikyr me ngjyrë të ndezur apo të errët, do të arrihet të mbulohen rripat e thonjve. Ndërkohë në qendrat estetike mund të realizohet edhe zbutja e thonjve dhe limimi i sipërfaqeve të tyre për eliminimin e rripave. Por duhet pasur parasysh se, kjo metodë nuk këshillohet të aplikohet shpesh, pasi ajo i bën thonjtë më të hollë dhe më delikatë.

Thonj të zverdhur

Thonjtë e zverdhur mund të jenë të tillë për shumë arsye, si përdorimi i vazhdueshëm i manikyrëve me ngjyra të forta,

Duhani, por edhe disa lloje kërpudhash. Ndërkohë që për këtë rast këshillohet konsulta me mjekun, ndërsa në dy rastet e para mënyra më e mirë është të eliminohen shkaqet. Kështu të mos përdoren më manikyrët me ngjyra të forta si dhe të mos pini më duhan. Gjë jo e lehtë kjo? Por nëse është kështu, atëherë të mundohemi të eliminojmë ngjyrën e verdhë, që nuk është aspak estetike. Kjo mund të realizohet duke prerë një limon në dy pjesë dhe duke vendosur te limoni thonjtë të paktën për 10 minuta, në mënyrë që acidi që ka limoni të zbardhë thonjtë. Një tjetër metodë shtëpiake është edhe të futen thonjtë në ujë të ngrohtë, në të cilën më parë është hedhur kripë e zezë. Të dyja këto metoda janë shumë të efektshme, por që nuk janë të tilla nëse do të bëhen vetëm një herë. Për të arritur rezulatin e dëshiruar është e nevojshme përsëritja e shpeshtë e tyre.

Ndërkohë, nëse e keni shumë të vështirë për manikyrin, atëherë ju këshillojmë të përdorni ngjyrat e çelura dhe nuancat e hapura. Evitoni manikyrët me tonalitetet e forta dhe të errëta, që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse të përforcojnë ngjyrën e verdhë të thonjve.

Kujdes të veçantë për thonjtë

Duart në përgjithësi janë të parat që bien në sy gjatë komunikimit midis personave, ndaj është shumë i rëndësishëm kujdesi për lëkurën dhe thonjtë. Fjala kyç, ashtu si edhe për trupin, është hidratimi. Një nga problemet kryesore të thonjve është hidratimi, që mund të evitohet nëse për duart dhe thonjtë do të përdorej një krem-hidratues, sa herë që keni qenë jashtë, sidomos kur është shumë nxehtë apo kur është ftohtë. Ndërkohë që ky krem duhet të përdoret pas çdo larjeje. Përdorimi i kremit është mëse i nevojshëm për të përballuar plakjen e lëkurës së duarve si dhe të thonjve. Këshillohet që të përdoren kremra me vitamina dhe filtra ultraviolet, si dhe të pasura me acidet fruktoze. Për t’i pasur duart dhe thonjtë sa më të butë, evitoni përdorimin e sapunëve apo detergjentëve që ju acarojnë, dhe në raste të tilla përdorni dorashka. Gjatë sezonit të plazhit mos harroni asnjëherë të përdorni një krem mbrojtës. Mos i ekspozoni duart ndaj të ftohtit të madh dhe përdorni dorashka. Një kurë e mirë në ambientet e shtëpisë është edhe banjoja e duarve dhe thonjve me vaj ulliri. Kjo metodë është shumë e lehtë për t’u përdorur. Në një enë, pasi të keni ngrohur vajin e ullirit zhysni gishtat dhe i mbani në enë për disa minuta, për të lejuar thithjen e nevojshme të vajit. Ndërkohë që për të pasur një sipërfaqe të lëmuar dhe të njëtrajtshme, mund të përdorni të njëjtën maskë që përdorni edhe për fytyrën. Por nëse thonjtë ju thyhen shpesh, atëherë ata kanë nevojë të qëndrojnë të palyer për disa javë. Por edhe në këtë rast mos harroni të përdorni kremin hidratues të paktën një herë në ditë. Për t’i forcuar para se të përdorni manikyrin, këshilloheni të përdornin një bazë mbrojtëse. Vetë manikyri duhet të aplikohet në dy shtresa. Për një manikyr të përsosur mundohuni që peneli të marrë pak manikyr, bëni një lyerje në mes të thoit dhe më pas në dy anën e tij. Edhe për shtresën e dytë përdorni të njëjtën metodë, por kur të jetë tharë shtresa e parë. Kjo është e gjitha. Nëse do t’i ndiqni rregullisht këto hapa, do të keni një manikyr perfekt dhe për t’u admiruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›