E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mjaft me psikologjinë e lagjes, të “ngujimit”

07/05/2005  Prej kohësh, si komuniteti i artistëve në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe analistë të ndryshëm, kanë shprehur keqardhjen e tyre për marrëdhëniet ende të “ngrira” midis dy vendeve. A ndani të njëjtin opinion dhe, në rast se po, cila është arsyeja sipas jush?

“Eshtë e vërtetë dhe problemi duhet parë nga disa këndvështrime. Sipas mendimit tim, problemi i parë vjen nga fakti se ne jemi akoma të prirur të presim gjithçka nga shteti, ndërkohë që janë shumë gjëra që artistët duhet t’i realizojnë vetë. Eshtë një reminishencë, e trashëguar nga sistemi i kaluar. Ne nuk duhet të harrojmë që kjo periudhë ka marrë fund si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe duhet që vetë artistët të veprojnë me iniciativat e tyre, pa pritur ndihmë nga shteti. Sigurisht që problemi i dytë vjen si rezultat i burokracisë shtetërore. Në rast se zyrtarët e dy vendeve nuk kanë ndonjë obligim për të vënë në lëvizje, ata kanë detyrim që paratë e taksapaguesve t’i orientojnë drejt këtij kahu. Edhe pse shumë herë marrëveshjet midis institucioneve janë të çuditshme dhe paradoksale, është mirë që bëhen, por paralelisht duhet të inkurajojnë projekte, të cilat duhet t’i mbështesin finanaciarisht, pasi shumica e aktiviteteve, në tërësinë e tyre, bëhen pa mbështetje institucionale. Personalisht, kam bërë përpjekje të jashtëzakonshme, që në teatrot e Kosovës dhe jo vetëm, të vijnë sa më shumë krijues nga Shqipëria.

Problemi i tretë dhe ndoshta më themelori, që pengon format e zhvillimit të marrëdhënieve brenda një kornize kombëtare, është mediokriteti. Janë mediokrit si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, që nuk janë të interesuar që hapësira e bashkëpunimit midis nesh të zgjerohet. Ata i besojnë logjikës së ‘lagjes’ apo të proverbit: ‘Më mirë i pari i fshatit, se sa i fundit në qytet’. Kjo është logjika e tyre dhe nuk duhet të harrojmë asnjëherë se kjo kategori mediokrish, pseudokrijuesish, bëjnë përpjekje marramendëse për të frenuar gjithçka. Kjo, pasi edhe krijuesit e vërtetë nuk kanë kohë dhe energji për të balancuar gjërat, pasi kanë përparësi të tyre krijimin. Eshtë ky fenomen që më dekurajon si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, dhe kam frikë se edhe për disa vite akoma mediokrit dhe mediokriteti do të jetë pengesë serioze për harmonizimin dhe krijimin bashkëpunimit organik mbarëshqiptar. Një prej pasurive më të mëdha që kanë shqiptarët, përveç elementit gjuhësor, që është mjaft i rëndësishëm dhe më i madhi që kemi, është diversiteti ynë kulturor. Kultura si në Kosovë, Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri, ka patur nivele dhe perspektiva të ndryshme zhvillimi, të cilat në një mënyrë apo tjetër e plotësojnë mozaikun nga boshllëqet që mund të ketë secili midis nesh dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Ne duhet të krijojmë marrëdhënie, të marrim dhe të japim, nga Prishtina në Tiranë, në Shkup dhe anasjelltas. Kjo rrethanë shumë favorizuese, krijon dimensione të një pasurie të veçantë. Një aspekt tjetër është se jetojmë në një ekspansion të madh tregu, pra duhet parë edhe në aspektin komercial. Një piktor nuk duhet të jetojë me psikologjinë e lagjes, të ‘ngujimit’, por duhet të ndërgjegjësohemi për realitetin e ri, ku mundësitë e prezantimit të vlerave dhe krijimtarive tona janë krejtësisht ballkanike, te të 7 milionë shqiptarët në tërë gadishullin. Ne këtu kemi ngecur. Eshtë një hallkë, e cila diku është këputur dhe, pavarësisht dëshirave dhe vullnetit të mirë që ne kemi, madje duke e ditur se është e vetmja mënyrë që kultura jonë mund të ecë përpara, kam frikë se mund ta ndryshojmë këtë gjendje shumë shpejt. Ka megjithatë, edhe raste bashkëpunimi, por që mbeten të shkëputura dhe të pamjaftueshme. Mendoj se ne duhet të diskutojmë shumë hapur në lidhje me këto probleme dhe, në fund të fundit, të gjejmë institucionet apo edhe individë të ndryshëm që bëhen pengesë për këtë bashkëpunim dhe t’i tregojmë hapur.

Ajo që karakterizon një intelektual të vërtetë, është guximi dhe krijimi i opinionit.

Duhet domosdoshmërisht ta krijojmë këtë opinion, pasi kam vënë re se ka mjaft artistë, të cilët nuk janë aspak të kënaqur me rrethanat e reja historike të krijuara, në hapësirat mbarëshqiptare. Eshtë një situatë që nuk mund të kalohet pa diskutime të hapura dhe pa tabu midis nesh, pasi prej pesë vitesh ne nuk kemi realizuar asgjë të përbashkët për të diskutuar hapur këto probleme… Me format televizive satelitore, ne thjeshtë kemi një prezencë, por që nuk mund të konsiderohet lidhje e drejtpërdrejtë. Ne nuk kemi ende një gazetë që të dalë paralelisht në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, edhe pse askush nuk na pengon më. Madje ka një fenomen tepër negativ, sa edhe ngjarjet që ndjekim në edicionet e lajmeve i shohim sikur ndodhin aty matanë, pra që s’na përkasin, duke shkatërruar në këtë mënyrë diçka të përbashkët, që duhet dhe mund të kemi në kulturën shqiptare në përgjithësi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›