Dhjetë arsye pse buxheti i vitit 2008 është një buxhet i suksesshëm
Treguesit e realizimit të buxhetit të vitit 2008 janë dëshmi e qartë e një niveli të ri të mirëqeverisjes dhe të menaxhimit të financave të vendit. Mjafton të rendisësh shifrat e realizimeve dhe fjalët do të ishin të tepërta. Një shprehje e urtë thotë: “Një fotografi flet sa një mijë fjalë”. Një tabelë e thjeshtë, pra e shifrave të realizimit të buxhetit, flet sa qindra fjalime, ndaj në ndërhyrjen time, nuk do të ndalem tek analiza teknike e realizimit të buxhetit, por do të doja të përmendja vetëm disa vlerësime politike që lidhen me të dhe të rendis dhjetë veçori që tregojnë pse ky është një buxhet i suksesshëm:
1 - Së pari, dëshiroj të nënvizoj se suksesi buxhetit të vitit 2008 është tregues i përmirësimit të vazhdueshëm të të gjithë procesit të programimit, hartimit dhe zbatimit të buxhetit. Për të tretin vit rresht, qeveria hartoi një buxhet me objektiva ambicioze, madje sfiduese, të cilat jo vetëm janë përmbushur, por edhe janë tejkaluar duke treguar që nuk është më thjesht një arritje e shkëputur, por konsolidim i mëtejshëm i mirëqeverisjes së qëndrueshme të Partisë Demokratike.
2 - Veçori e këtij buxheti është hartimi i tij përmes hallkave të Sistemit të Planifikimit të Integruar, i cili bën të mundur alokimin e fondeve kundrejt objektivave dhe prioriteteve strategjike të qeverisë, të cilat janë të ravijëzuara e në përputhje me Strategjinë Kombëtarë për Zhvillim dhe Integrim, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Marrëveshjen me FMN apo rekomandimet e Bankës Botërore. Hartimi i buxhetit kalon nëpër një procesi strikt, por demokratik negociatash të Ministrisë së Financave më të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, duke shmangur monopolizimin e procesit të buxhetimit vetëm nga një ministri apo një ministër. Kjo tregon që prioritetet e financuara nuk janë preferenca politike të çastit, por janë projekte të menduara dhe të planifikuara, të analizuara dhe të negociuara me kujdes nga ministri të ndryshme dhe nga Ministria e Financave.
3 - Buxheti i vitit 2008 është më tepër sesa një sukses i zakonshëm, pasi ai u realizua në kohën e precipitimit të shpejtë të krizës ekonomike botërore. Fakti që kjo krizë nuk i shtriu efektet e saj në Shqipëri, është meritë, mbi të gjitha, pikërisht e politikave të pjekura dhe të balancuara fiskale dhe buxhetore të qeverisë. Më shumë se nga çdo faktor tjetër, Shqipëria i shpëtoi krizës ekonomike falë aftësive të treguara nga qeveria në hartimin, adaptimin dhe përmbushjen e objektivave të buxhetit.
4 - Është e rëndësishme të theksohet që përmirësimi i kënaqshëm i nivelit të të ardhurave fiskale gjatë vitit 2008, pavarësisht nga efektet e krizës globale, ndikoi në stabilitetin makroekonomik edhe për vitin 2009.
5 - Politikat fiskale të mëshiruara në hartimin dhe zbatimin e buxhetit të vitit 2008 vërtetuan që është e mundur të kombinohen dhe harmonizohen me sukses politikat pro biznesit dhe zhvillimit ekonomik me ato sociale. Përmes këtij buxheti, u përmirësuan kushtet për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë private përmes lehtësirave dhe politikave fiskale pro biznes nga njëra si dhe të rritet buxheti për politikat sociale mbi të gjitha përmes rritjes së financimit dhe rritjes së pagave për dy sektorët kryesorë socialë, arsim dhe shëndetësi, si dhe për grupin më të pambrojtur të popullsisë atë të pensionistëve.
6 - Buxheti i vitit 2008 dëshmoi se lufta kundër korrupsionit, informalitetit dhe në përgjithësi forcimi i zbatimit të ligjit, jo vetëm ndihmojnë në rritjen e të ardhurave në periudhën afatshkurtër, por janë një kontribuues për rritjen afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë. Një nga faktorët që ka çuar në rritjen e të ardhurave në këtë vit ka qenë pikërisht politika e luftës kundër informalitetit, evazionit fiskal dhe korrupsionit që ka ndërmarrë qeveria që në fillim të mandatit të saj të parë.
7 - Hartimi dhe realizimi i këtij buxheti është provë bindëse se është e mundur që të shkurtohen shpenzimet qeveritare dhe të zvogëlohet madhësia e qeverisë pa cënuar cilësinë e qeverisjes, madje përkundrazi, duke e përmirësuar atë.
8 - Pas një përpjekjeje disavjeçare, buxheti po i nënshtrohet monitorimit të performancës së shpenzimeve edhe mbi bazë produkti, duke shënuar një hap cilësor në ciklin buxhetor dhe duke vënë theksin në efektivitetin e shpenzimeve në atë “çfarë ky buxhet prodhon për çdo qytetar të tij dhe me çfarë kostoje për njësi”.
9 - Rritja konstante e nivelit të investimeve publike në vitin 2008 shënoi shifra rekord, si në nivelet absolute, ashtu edhe në ato relative në raport me Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke mbajtur në të njëjtën kohë deficitin buxhetor në nivel të kënaqshëm në raport me treguesit makro të performancës së qeverisë.
10 - Së fundi, për ta bërë më të qartë për të gjithë, realizimi i buxhetit të vitit 2008 do të thotë:
563 klasa të reja, 771 klasa të rehabilituara, 676 klasa të mobiluara, rreth 600 kabinete informatike, biblioteka të pajisura ku të përfitojnë rreth 475 mijë nxënës. Janë pajisur me tekste 603 mijë nxënës (përfshi minoritetet), është siguruar transport për më shumë se 25500 nxënës; janë rehabilituar 265 dhoma në konvikte për arsimin profesional, janë siguruar bursa për rreth 4000 nxënës (parauniversitarë) dhe rreth 6000 studentë etj. Të gjitha këto kanë bërë që nxënës e studentë të gëzojnë kushte më të mira në shkollat ku ata mësojnë e studiojnë.
Rreth 650 km rrugë të reja dhe të rikonstruktuara kanë bërë që shqiptarët, por jo vetëm ata, të lëvizin më lirshëm në të gjithë vendin, të afrohen më shumë tregjet kombëtare edhe ato ndërkombëtare; të rriten shkëmbimet kulturore, tregtare etj. midis vendeve të rajonit dhe më gjerë; të nxiten më shumë investimet e huaja etj.
Rreth 45 mijë banorë kanë përfituar ujë të pijshëm për herë të parë dhe për rreth 290 mijë të tjerë furnizimi me ujë është përmirësuar; rreth 167 mijë banorë kanë përfituar nga ndërtimi dhe përmirësimi i rrjetit të kanalizimeve.
Do të merrja shumë kohë po të vazhdoja të rendisja ato çka janë arritur nëpërmjet realizimit të suksesshëm të buxhetit të vitit 2008, prandaj po e ndërpres këtu, duke përgëzuar në radhë të parë Ministrinë e Financave si dhe të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera që bënë të mundur realizimin e suksesshëm të këtij buxheti.