E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetë ditë i humbur, kërkohet ndihma e policisë

30/03/2005  Zhduket kryefamiljari

DURRËS - Që prej dhjetë ditësh, një burrë nga Shijaku i Durrësit

nuk është bërë i gjallë. Familjarët e shtetasit Flamur Kërtalli kanë vënë në dijeni policinë për humbjen e kryefamiljarit të tyre. Ata kanë pohuar se Kërtalli, i datëlindjes 1963, është larguar nga shtëpia më 19 mars dhe pasi të afërm dhe fëmijë të tij e kanë kërkuar në shumë vende nuk kanë mundur të mësojnë asgjë për fatin e tij.

Sipas familjarëve, 42-vjeçari ka qenë konsumues alkooli dhe se kishte ndodhur edhe herë të tjera që ai të mos ishte kthyer në banesë për një natë. Por, ata kanë thënë se në të tilla raste ai ose dikush tjetër njoftonte për vendin ku ai do të kalonte natën. Nga të dhënat e deklaruara nga familjarët, Kërtalli, 168 cm i gjatë, ka qenë i veshur me pulovër e pantallona ngjyrë kafe dhe xhup xhins në kohën që ka dalë për herë të fundit nga banesa.

Gjithashtu mësohet se ai ka pasur edhe luhatje të lehta psikike që kanë ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë ekonomike. Policia, pasi ka marrë pohimet e familjes, ka shpërndarë foto në shumë komisariate dhe ka nisur të kërkojë të humburin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›