E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia rikthen racizmin, emigrantët në klasa veç

 

Dhoma Përfaqësuese në Itali ka miratuar një ligj të paraqitur nga partia e antiemigracionit, Lega Nord, i cili ka hapur polemika të forta pasi kthen segregacionin. Ligji u miratua 265 vota pro dhe 246 kundër, por pritet të kthehet për rishqyrtim, pasi ka pasuar me reagimin e ashpër dhe protestat e emigrantëve dhe të liderëve të opozitës italiane. Vendi është akuzuar nga Bashkimi Evropian për frymë raciste në trajtimin e emigrantëve edhe për ligje të mëparshme të miratuara nga qeveria e Berluskonit, pjesë e rëndësishme e së cilës është partia Lega Nord, e dalluar prej vitesh për frymën e saj kundër emigrantëve në Itali. Ligji i miratuar një ditë më parë nga Dhoma Përfaqësuese italiane kërkon të krijohen klasa të veçanta për të huajt në shkollat italiane. Ligji, i cili u miratua pas disa ndryshimeve, kërkon gjithashtu që hyrja e nxënësve nëpër klasa të bëhet sipas rregullave të reja, ku do të ketë teste të veçanta vlerësimi për fëmijët joitalianë. Në ligj thuhet se, nxënësit e huaj që nuk flasin apo flasin pak gjuhën italiane, do të hyjnë në të ashtuquajturat "klasat e hyrjes". Sipas kreut të grupit Lega Nord në Dhomën Përfaqësuese që paraqiti ligjin, Roberto Cota, propozimi "shërben për të parandaluar racizmin dhe kërkon realizimin e një integrimi të vërtetë", ndërsa për eksponentin e PD, Piero Fassino ky është "një propozim i ulët, që fut diskriminim nëpër shkolla".
Studentët e huaj në Itali do të futen në testet e veçanta para se të bëjnë testin përfundimtar të shkollës. Kush nuk i kalon testet paraprake do të futet në klasat e veçanta, të cilat do të japin përparësi mësimit të gjuhës italiane. Veç kësaj, futja e studentëve të huaj në klasat e zakonshme do të lejohet vetëm pas 31 dhjetorit të çdo viti. Sipas Legës, emigrantët nuk kuptojnë e pengojnë edhe studentët italianë në mësim. Ky ligj ka treguar edhe krisje të maxhorancës qeveritare në Itali. Lideri i PD, Valter Veltroni e ka konsideruar ligjin të patolerueshëm. "Zoti na shpëtoftë nga ideja e klasave të ndara", është shprehur kreu i PD në Itali, Veltroni. "Argumentet e dhëna janë absolutisht absurde. Të jetë e qartë se për këto që përpiqet ta kthejë në ligj një mocion të tillë, PD do të përdorë çdo mjet për ta ndaluar iniciativën", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›