E Shtunë, 31 Tetor 2026

Michael Wood,avokati i Kosovës në Hagë

 

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur juristin britanik, Michael Wood, si drejtues të ekipit ligjor të Kosovës, për të mbrojtur ligjshmërinë e pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vendimi u mor pas konsultimeve të anëtarëve të kabinetit qeveritar me presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe partnerët ndërkombëtarë. Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Commonwealthit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006. Ai përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Konferencën ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999. Wood është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë herë dhe ka punuar në shumë raste të njohura të drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshillëdhënës të GJND-së për Pasojat Ligjore të Ndërtimit të Murit në Territorin e Okupuar Palestinez. Pas marrjes së vendimit, tre liderët e institucioneve kryesore të Kosovës dolën në një konferencë të përbashkët shtypi. Kryeministri Thaçi tha se: "Kosova ka një rast të fortë dhe synon ta demonstrojë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare". "51 shtete nga e tërë bota tashmë kanë njohur se Kosova është shtet i pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kushtetutë moderne, që ofron garanci të bollshme për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj dhe posaçërisht komunitetet e saj pakicë", citohet në deklaratën e përbashkët të Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi dhe kryeparlamentarit Krasniqi. Sejdiu e vlerësoi Wood si një personalitet të shquar ndërkombëtar dhe personin e duhur për të arsyetuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe shfaqi bindjen se Gjykata do t'i mundësojë Kosovës ta thotë fjalën e saj. Çështja e pavarësisë shkoi në Hagë pas miratimit të kërkesës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo çështje pritet të zgjasë nga gjashtë muaj deri në dy vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›