E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca: Përdhunoi dy fëmijë,20 vjet burg anglezit Braun

 

TIRANE - Abuzimi seksual me dy fëmijë të jetimores "Fëmijët e tij", do t'i kushtojë 20 vjet burg, anglezit Xhon David Braun. Kjo ishte pretenca e organit të akuzës së kryeqytetit dje në gjykatë, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje. Që në momentet e para të seancës, ende pa mbërritur trupi gjykues në sallë, sapo policët i liruan duart nga prangat, anglezi Braun 57-vjeçar lexoi së bashku me avokaten e tij ca vargje nga Bibla, ndërsa mbrojtësja i kërkoi gjykatës pranimin si prova lehtësuese disa letra dhe kartolina që fëmijët e fondacionit, ia kishin dërguar "babait-Braun", gjatë kohës që ky ndodhej i paraburgosur. Gjykata e rrëzoi këtë kërkesë me argumentin se ishte përsëritur herë tjetër dhe në të njëjtën mënyrë ishte rrëzuar. Pas kësaj, fjalën e mori prokurori i çështjes, i cili pohoi se Braun kishte abuzuar seksualisht për disa vite me radhë me dy të mitur, njëri aktualisht 12 dhe tjetri 11 vjeç. Përfaqësuesi i prokurorisë pohoi, se anglezi Braun, që ishte kreu i fondacionit kujdesej për fëmijët e jetimores, ndërsa ka abuzuar me dy prej tyre, me të cilët flinte në të njëjtin shtrat. Po kështu, prokurori akuzoi edhe dy miqtë e Braun, greko-anglezin Dino Christodoulou dhe skocezin Robin Arnold, për të cilët tha se janë objekt i një tjetër gjykimi dhe nuk duhet të përmenden në këtë proces. Më tej përfaqësuesi i akuzës kundërshtoi provat e paraqitura nga mbrojtja, duke pohuar se Braun nuk mund të mbrohej me pretendimin se ishte i paaftë seksualisht dhe se gjithashtu gëzonte shëndet të plotë mendor. Në fund të fjalës së vet prokurori tha se Braun duhet të dënohet me 20 vjet burg nën akuzën e "kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me të mitur". Në fund u kërkua që Braun të vuante në një burg të sigurisë së lartë dhe pas dënimit të përzihej nga Shqipëria, shtet të cilit i kishte shpërdoruar besimin.               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›