Mësuesit, kushtet e reja për të përfituar pension
zirina llambro
Tre kushte duhet të plotësojnë mësuesit dhe pedagogët, që kërkojnë të përfitojë pension të plotë për vitin 2008-2009. Këtë bëjnë me dije specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, plotësimi i moshës, përkatësisht 52 vjeç për femra dhe 62 vjeç për meshkuj është kriteri kryesor. Gjithashtu, ata duhet të kenë mbushur 35 vite punë minimalisht 26 prej tyre të siguruara në arsim. MASH sqaron se, në rastet kur këta tre kushte nuk plotësohen deri më 30 qershor të 2009, mësuesit e pedagogët do të përfitojnë pension më vonë se fundi i qershorit të vitit që vjen. "Gradualisht, në çdo datë l korrik moshat e daljes në pension të mësuesve dhe pedagogëve, do të shtohet me 6 muaj. Kjo derisa duke filluar nga 1 janar 2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin në pension të plotë 60 vjeçe dhe meshkujt 65 vjeç, kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara pavarësisht se ku kanë punuar", nënvizojnë ekspertët e ministrisë.
Pas korrikut 2008
Nga data 1 korrik 2008 e në vazhdim, pensionet e plota të shtetit pa përfshirë kompensimet nuk mund të jenë më të larta se 19.030 lekë në muaj. Mësuesit, pedagogët, trajnerët dhe Sportistët, të cilët përfitojnë pension të posaçëm kanë të drejtë të marrin njëkohësisht pensionin e zakonshëm dhe të posaçëm dhe shtesat përkatëse, që i bëhen të dy llojeve të pensioneve me vendime të Këshillit të Ministrave, që e ka në kompetencë. Rritja e pensioneve më 1 korrik të këtij viti ishte 10 për qind për secilin pension. Mësuesit dhe pedagogët që dalin në pension mbi moshën 57 e 6 muaj vjeçe për femrat dhe 62 vjeç e 6 muaj për meshkujt dhe kanë punuar më shumë se 35 vjet të siguruar gjithsej, pavarësisht se ku kanë punuar në vendin tonë, përfitojnë 4 për qind shtesë pensioni për çdo vit, ose 0.34 për qind shtesë mbi pension për çdo muaj pune.
Llogaritja
Sipas nenit 32 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të tre vjetëve rresht në 10 vjetët e fundit të punës. Këtë periudhë e zgjedhin vetë të interesuarit gjatë kohës kur kanë pasur pagën më të mirë. Sipas specialistëve të ministrisë, për pension merret parasysh rroga bazë mbështetur në tabelën e pagave të miratuar nga Këshilli i Ministrave, shtesat e marra për vjetërsi në punë, vështirësi, largësi, funksion, gradë shkencore. "Në llogaritjen e pensionit s’merret parasysh paga e 13-të, që kanë marrë mësuesit, mbasi për pagën e mësipërme, nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore", sqarojnë specialistët e MASH. Paga e secilit vit, përpara llogaritjes së pensionit, nga punonjësit e sigurimeve shoqërore, rritet me koeficientet përkatës të caktuara nga Këshilli i Ministrave. Periudhat e paguara me leje të zakonshme, raporte mjekësore për paaftësi të përkohshme dhe leje lindje, pavarësisht se janë paguar më pak se rroga, mbështetur në Kodin e Punës quhen vjetërsi në punë dhe nuk ndikojnë në masën e pensionit.
Dokumentet që duhen për pension
* Libreza e punës e plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë.
* Libreza ushtarake për meshkujt që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
* Certifikatë personale me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare.
* Vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Këto janë vërtetime standarde dhe punonjësit e financës janë * Kopja e noterizuar e diplomës të shkollës së lartë ditën për femrat.
* Kërkesa për pension, që është një formular i gatshëm që merret në qendrën e fundit të punës, ku shënohet edhe adresa e banimit,
* Numri i telefonit
3 kushtet e pensionit
Femrat:
1- Mosha: 57 vjeçe e 6 muaj
2- Vite pune të siguruara: 35 vjet
3- Vite pune të siguruara në arsim: 26 vjet e 3 muaj
Meshkuj:
Mosha: 62 vjeç e 6 muaj
Vite pune të siguruara: 35 vjet
Vite pune të siguruara në arsim: 26 vjet e 3 muaj