E Diel, 1 Nëntor 2026

Bënin fotografi me armë, vritet aksidentalisht 13-vjeçari

Pogradec/ Fëmijët kishin dalë për të luajtur me borë në kodrat e fshatit. Autori, një bashkëmoshatar i viktimës

Një lojë fëmijësh ka përfunduar tragjikisht për 13-vjeçarin Erind Liçkollari nga fshati Vërdovë i Pogradecit. I mituri  është vrarë aksidentalisht nga shoku i klasës, në kodrat e fshatit në zonën mbi depot e ujit. 13-vjeçari kishte dalë për t’u argëtuar dhe rrëshqitur në dëborë në thellësi të kodrave bashkë me pesë shokë të klasës. Djemtë kishin marrë me vete dhe një armë kallashnikov, që dyshohet se e kanë siguruar fshehurazi në banesën e njërit prej fëmijëve. Por ndërsa kanë qenë duke luajtur, arma është shkrehur mbi 13-vjeçarin Liçkollari dhe një plumb e ka prekur në pjesën e majtë të trupit. Ka qenë një prej shokëve të tij që mbante armën në dorë të mbështetur pas trupit dhe të drejtuar me tytën majtas që ka shkrehur armën aksidentalisht. Menjëherë pas ngjarjes, djemtë kanë tentuar të transportojnë shokun e tyre drejt spitalit. Për shkak të terrenit të thyer, fëmijët e kanë pasur të vështirë të transportojnë deri në afërsi të depove të ujit 13-vjeçarin, i cili ka mbërritur në spital pa jetë dhe me një plagë të madhe në pjesën e majtë të trupit. Ka qenë roja e depos që ka njoftuar policinë, pasi djemtë kanë mundur të zbresin nga kodra 13-vjeçarin që nuk shfaqte shenja jete dhe kishte humbur shumë gjak.
Policia e Pogradecit ka shoqëruar pesë nxënësit e shkollës nëntëvjeçare që ishin në momentin e ngjarjes me viktimën. Gjatë marrjes në pyetje është identifikuar autori i kësaj ngjarjeje aksidentale, i cili është 13-vjeçari me inicialet K.L. Fëmijët kanë deklaruar për policinë se ndërsa kanë qenë duke rrëshqitur në kodër, kanë gjetur një armë të mbushur dhe kanë filluar të bëjnë qitje me të. Më pas sipas deklarimeve të fëmijëve ata kanë dashur të bëjnë fotografi. Kur autori i ngjarjes ka pozuar duke mbajtur armën të mbështetur në trup, ajo është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme dhe një plumb ka prekur Erindin, që ndodhej ngjitur me të. Fëmijët kanë deklaruar fillimisht se armën e kishin gjetur në kodër. Por sipas banorëve dhe rojës së depos nga kodra rreth gjysmë ore larg depos ishin dëgjuar të shtëna çka tregon se fëmijët kishin qëlluar disa herë për qitje. Policia ka nisur kontrollet në banesat e pesë nxënësve për armë dhe pas shoqërimit të tyre ka marrë në pyetje dhe 14 persona të tjerë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›