E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcohen valutat në treg, dollari arrin 100 lekë

Nga Rajmonda Lajthia 

Tiranë, 1 shkurt NOA - Valutat kryesore kanë
arritur një nivel të ri në këmbimin me lekun vendas, një dollarë amerikan, pas
disa vitesh ka arritur vlerën më të lartë duke u këmbyer me mbi 100 lekë,
ndërsa monedha evropiane ka arritur pranë kufirit 140 lekë. Për ish ministrin e
ekonomisë Anastas Angjeli kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së valutës në
treg, pasi emigrantët nuk po sjellin më euro, investimet e huaja kanë rënë, eksportet
pësuan rënie për shkak edhe të krizës ekonomike.

Por ajo çfarë parashikohet është që ky forcim i
valutave do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Ky fakt është një dëshmi që
ekonomia ndodhet në vështirësi serioze.

Ajo çfarë debatohet më së shumti mes ekspertëve
është gjetja e një skeme të re të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Duke vijuar
më tej me argumentet e tij, z.Angjeli thotë se qeveria duhet të heqë dorë nga
shpenzimet e saj elektorale duke ruajtur financat publike. Sipas tij, një nga
mekanizmat është që Banka e Shqipërisë të vijojë me një politikë monetare më
fleksibël, duke nënkuptuar një ulje të mëtejshme të kostos së parasë.

Qeveria ka parashikuar që të marrë 300 milion
euro borxh, nga të cilat 100 prej tyre do ti hedhë në treg për investime
publike. Ky fakt pritet të ndikojë në një stabilizim të kursit të këmbimit,
euro-lekë.

r.l/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›