E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetë teoritë e konspiracioneve më të famshme në botë

Vrasja e Presidentit të famshëm amerikan Xhorxh F. Kenedi, sulmet terroriste mbi Kullat Binjake të Nju Jorkut më 11 shtator 2001, vdekja misterioze e princeshës Diana: interneti nuk ka bërë tjetër veçse i ka shumëfishuar teoritë mbi komplote të mundshme të organizuara e të vëna në jetë nga qeveritë e shteteve të mëdha apo nga shoqëri të fshehta.

Pyetja së cilës i duhet gjetur përgjigje është ajo e përhershmja: bëhet fjalë për aksidente, fatkeqësi e katastrofa natyrore apo gjithçka i duhet atribuuar konspiracioneve të fshehta që shohin të përfshira sferat më të larta të politikës e ekonomisë së gjithë rruzullit? Për "komplotistët", siç quhen ata që besojnë teoritë nga më piktoresket, sektorët ku mund të aplikohen "teoritë e komploteve", janë ndër më të ndryshmit.

Sipas psikologëve, këto teza ngacmojnë imagjinatën kolektive, teksa kërkojnë të zbardhin (vetëm në aparencë) episode të vështira për t‘u shpjeguar. E përditshmja britanike "Telegraph" ka renditur në një listë 30 teoritë më të përfolura, nga më të besueshmet deri tek ato produkte të imagjinatave më të shfrenuara. Në listë zënë vend disa vdekje të famshme. Incidenti automobilistik ku humbi jetën princesha Diana bashkë me të dashurin është ende objekt debatesh të pafundme. Sipas hetimeve zyrtare, të përsëritura disa herë, nuk bëhet fjalë për një komplot të organizuar nga familja mbretërore britanike, por për një aksident fatal. Ndërkohë babai i Dodi Al Fajed, i cili nuk e ka pranuar kurrë rezultatin zyrtar, është i bindur se i biri dhe Diana janë vrarë qëllimisht. Kjo, sipas tij, pasi për monarkinë britanike qe krejt e papranueshme që nëna e mbretit të ardhshëm të Anglisë të martohej me një mysliman, nga i cili priste edhe një fëmijë.

Mes emrave të personazheve VIP të spikatur gjenden ata të Pol MekKartnit e Elvis Preslit. Sipas disa skeptikëve, mbreti i rrokut është gjallë edhe sot e kësaj dite dhe e ka stisur vetë vdekjen, i vënë përfund nga suksesi. Ata servirin një seri të gjatë provash e kundërprovash, sipas të cilave këngëtari shijon sot pleqërinë në një ishull tropikal. Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me yllin e popit, Pol MekKartni. Sipas komplotistëve, këngëtari ka vdekur që në vitin 1966. Ndërkohë që Poli që shohim sot nuk është tjetër veçse një sozi.

Nuk duhen harruar as teoritë "shkencore". Virusi AIDS nuk është krijuar vetvetiu por në laborator, ndërkohë që Haarp është një armë sekrete në gjendje të shkatërrojë avionë e raketa, madje të shkaktojë edhe tërmete.

Pasi folën për vite e vite me radhë mbi faktin nëse amerikanët arritën apo jo të vinin vërtet këmbë mbi sipërfaqen e Hënës, mes komplotistëve, këto vitet e fundit, nuk diskutohet për tjetër, veçse për sulmet e 11 shtatorit. Ata mbështesin me forcë tezën që ishte vetë qeveria amerikane ajo që shkaktoi tragjedinë e dy Kullave Binjake.

Diçiturat

Virusi i AIDS-it është krijuar në laborator

Haarp është një armë në gjendje të rrëzojë avionë e raketa, madje edhe shkaktojë tërmete

Sipas një teorie të përhapur në botën myslimane, cunami i vitit 2004 u shkaktua nga një eksperiment nuklear indian

Sipas një legjende metropolitane, Pol MekKartni ka vdekur që në vitin 1966. Ai që shohim sot është një sozi

Nuk ka ekzistuar kurrë një njeri i quajtur Uilliam Shekspir. Pas emrit fshihej një poet britanik

Shumë adhurues të këngëtarit të madh janë të bindur se ai nuk ka vdekur në vitin 1977, por se shijon jetën i qetë në ndonjë ishull të bukur

Ledi Diana nuk vdiq për shkak të aksidentit automobilistik, por u vra në një komplot të organizuar nga familja mbretërore

Janë tashmë miliona ata që mendojnë se Jezusi u martua me Maria Magdalenën dhe pati fëmijë nga ajo

Zbarkimi në Hënë nuk është gjë tjetër veçse një inskenim i stisur nga ekspertët e NASA-s

Sipas disa komplotistëve, sulmi mbi Kullat Binjake u orkestrua nga administrata "Bush" për të përligjur ndërhyrjen në Lindjen e Mesme



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›