E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë vitet e pianistes shqiptare në Salsburg

• Nuk janë të paktë artistët shqiptarë që kanë prekur skenat e huaja.

Kanë studiuar në bankat e universiteteve më të famshme në botë dhe sot pushtojnë teatrot më të famshëm. Një tjetër artiste e re shqiptare, lakohet në mediat e huaja për suksesin e saj. Ardita Statovci, një pianiste shqiptare, jeton prej vitesh në Salsburg, ku ka kryer edhe studimet e larta. Ajo rrjedh nga një familje e njohur në Kosovë, e lindur në Prishtinë në vitin 1982. Prej moshës tetëvjeçare fillon mësimet në piano në shkollën e ulët të muzikës “Prenk Jakova” në vendin e lindjes. Prindërit e saj janë dy figura të njohura, nëna profesore për degën Etnolog në Universitetin e Prishtinës dhe, i ati, jurist dhe njëkohësisht rektor i Universitetit të Prishtinës në kohën e represionit të atjeshëm. Si dashamirës të muzikës, ata i dhanë shtysë dhe përkrahje morale Arditës, që në fëmijërinë e saj. “Pianon e kishim në shtëpi dhe kam luajtur edhe si fëmijë duke mësuar prej nënës dhe motrave të mia. Ishte një gjë shumë interesante që më merrte gjithë koncentrimin dhe me shumë dëshirë e kaloja kohën aty. Ishte pra disi e natyrshme dhe as që duhej të mendoja se a duhej ta ushtroja apo jo”, tregon pianistja shqiptare, e cila aktualisht mbush 11 vjet në Salsburg. 
Largimi në Salsburg
Në moshën 14-vjeçare Ardita realizon koncertin e parë solistik, ndërsa një vit më vonë pranohet në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Viti 1997 e gjen në Austri, ku edhe mban koncertin e parë, nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë.
Në një moshë fare të re ajo largohet nga familja për të shkuar në Austri për studime. Regjistrohet në Universitetin Mocarteum, në Salsburg. Përballja me mentalitetin, vendin, nuk ka qenë aq e thjeshtë për Arditën, e cila në atë kohë nuk dinte ende gjuhën gjermane, përveç ndonjë fjale! Fatmirësisht, orët e para të pianos ishin në gjuhën angleze, thotë Ardita: “E mira në art është që arti është universal. Atë e kupton e gjithë bota, kushdo qoftë ai, i çfarëdo kombësie të jetë, nga Azia, Amerika apo nga Evropa”. E nëpërmjet muzikës, ajo krijoi dhe lidhjet e saj.
Në universitetin ku filloi studimet ka një garë ndërkombëtare nga e gjithë bota në muzikë. Aty nuk kishte vend për studentë të patalentuar, askush nuk mund të hynte rastësisht. Pra, ishte konkurrencë e fortë dhe e përditshme. Kështu Ardita duhej të përballej edhe me konkurset dhe natyrisht as kjo nuk do të ketë qenë e lehtë: “Nuk është as tani, por duhet shumë punë dhe shumë përkushtim kur marrim parasysh se të gjithë këta njerëz janë shumë të talentuar dhe shumë të përkushtuar në punën e tyre. Në universitetin ku jam unë, posaçërisht, është një nivel tejet internacional. Kam shumë kolegë nga Azia, Koreja, Japonia, nga Kina, Afrika e Jugut, Amerika, Evropa, pothuajse nga të gjitha shtetet, nga mbarë bota”, thotë ajo.
Koncerti i parë
Ardita Statovci është shpërblyer dy herë me çmimin “Talenti i Kosovës” dhe në moshën 14-vjeçare paraqiti koncertin e parë solistik. Vetëm një vit më vonë ajo do të pranohej në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. “Në përgjithësi kam përfunduar tre nga dy vite për një vit shkollor. Kështu që në moshën 16-vjeçare kisha mbaruar maturën”. Më 12 tetor 1997, Ardita paraqiti koncertin e parë jashtë vendit, në Austri, nën patronazhin e “Shoqatës për Teatër Muzikor” në Vjenë. “Në Salsburg isha në moshën 15-vjeçare. Natyrisht nuk e dija gjuhën gjermane dhe vështirësitë e fillimit ishin të shumta. Por meqë arti është internacional dhe gjuhën e muzikës e kuptojnë të gjithë, kjo ishte ajo çka e bënte fillimin më të lehtë”. Që nga viti 1997 “Shoqata për Teatër Muzikor” - Vjenë ka përkrahur pianisten në shkollimin e saj në Austri. Në gusht të 1999, brenda një periudhe mjaft të shkurtër, ajo realizoi pjesën solo në piano dhe udhëhoqi përforcimin e parë të baletit “Come una danza” të kompozuar nga Kurt Rapf dhe me koreografi të Richard Adamas.
Bashkëpunimet në Austri
“Bashkëpunimet janë të vazhdueshme. Mund të veçoja punën me orkestrën e të rinjve nga Zvicra. Edhe bashkëpunime me pianistë të famshëm, siç janë Elisabeth Leonskaja, Carmen Piazzini etj.”. Si nga të vetmet artiste kosovare në Universitetin e Salsburgut, Ardita i ka kaluar vitet e luftës së Kosovës në Austri, ku megjithëse larg vendlindjes, nuk mund të mos përjetonte situatën që zotëronte në atdhe. “Megjithatë mendoj se ne jemi mësuar që të vazhdojmë më tutje, pavarësisht asaj që ndodhi apo mund të ndodhte”, thotë ajo. Në vitin 2004 ajo u shpërblye me burse nga Internacionale Mazarteum Stiftung. Në të njëjtën kohë ajo merr diplomën e saj në klasën koncertale nga Christof Lieske në Salsburg. Më 2005 vlerësohet me çmim nga Yehudi Menuhins Live Music Now dhe më 2006 me Börsendorfer Preis Mozarteum në Salsburg. Një vit më pas ajo mbyll me bravur studimet për piano në Universitetin Mozarteum në Salsburg, ku edhe jeton më tej. Megjithatë Ardita nuk i ka shkëputur lidhjet me vendlindjen e saj, Kosovën. Ndër vende të shumta si Austri, Zvicër, Maqedoni, Kroaci, Francë, Bosnje, Hungari, Gjermani etj., ka dhënë koncerte edhe në Kosovë, ku pritet nga publiku i saj i parë dhe artdashës i Kosovës. “Është një publik i mrekullueshëm. Është një ndjenjë fare tjetër kur luaj në Prishtinë. Njerëzit në publik janë ata që më kanë ndjekur që nga fëmijëria e deri tani”.
(Marrë Deutsche Welle)

Artistja shqiptare
E lindur në Kosovë më 02.03.1982, si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Që nga mosha tetëvjeçare ajo filloi të vijojë mësimet në piano te prof. Hadije Gjinali në shkollën e ulët të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, duke kryer vitin e dytë dhe të tretë në një vit shkollor – gjë që e përsëriti edhe në klasën e shtatë dhe të tetë të shkollës fillore, që e ndoqi paralel me shkollën e muzikës. Dy herë është shpërblyer me çmimin “Talenti kosovar”. Në moshën 13-vjeçare ajo u transferua në klasën e Lejla Haxhiu-Pula në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”. Në moshën 14-vjeçare ajo u paraqit në koncertin e saj të parë solistik, ndërsa në moshën 15-vjeçare u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë, Universiteti i Prishtinës dhe më 12 tetor 1997 ajo u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›