E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK rusëve për ndihmat: Kaloni doganën sipas rregullave

• Rusia ka dërguar dje në Beograd avionin e parë të ngarkuar me 40 tonë ndihma humanitare për serbët e Kosovës. Në plan parashikohet dërgimi i rreth 140 mijë tonelatave të tjera ndihme.

Por autoritetet ruse nuk kanë marrë leje as nga qeveria e Kosovës dhe as nga UNMIK-u për importimin e ndihmave për komunitetin serb në Kosovë. Sipas UNMIK, nuk ka nevojë të kërkohet leje për të futur ndihma në Kosovë përderisa qeveria e Kosovës kërkon që gjithsesi për ndihmat të njoftohen autoritetet dhe ato të kontrollohen dhe menaxhohen nga autoritetet kosovare. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, tha se ndihmat humanitare ruse mund të hyjnë në enklavat serbe, por duhet së pari të respektohen procedurat doganore. “Nuk ka nevojë të kërkohet leje, por ajo që duhet bërë është që të zbatohen procedurat, në veçanti ato që lidhen me doganat. Ndihma vijnë pothuajse çdo ditë dhe nëse të gjitha procedurat zbatohen, ndihmat mund të hyjnë në Kosovë”, tha Ivanko. Në rast se as ky formular nuk plotësohet, ndihmat rrezikojnë të mos hyjnë në Kosovë. Qeveria serbe e ka pritur me “ekstazë” dërgimin e këtyre ndihmave. Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka deklaruar se “kjo është një ditë e madhe për Serbinë, sepse ka mbërritur ndihma e madhe humanitare e shtetit rus”, tha ai duke falënderuar Ministrinë ruse të situatave emergjente. Samarxhiç tha se për ndihmat humanitare është i ngarkuar UNMIK-u dhe se nuk pret probleme gjatë shpërndarjes së ndihmave për 8300 familje serbe në veri të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›