Dhjetëra fermerë në Mat denoncojnë misrin e skaduar
MAT- Fermerët e Matit kanë denoncuar një firmë farërash të licensuar, që sipas tyre u ka shitur mall të skaduar. Janë 162 fermerë të Matit, të cilët nuk po marrin as dhe një grusht prodhim në sipërfaqet e mbjella dhe që u kanë kushtuar muaj të tërë mund, djersë e harxhime të mëdha. Sipas fermerëve matjanë, fara ka dhënë vetëm masë vegjetative dhe jo prodhim, sikur e prisnin pas shërbimeve korrekte të kryera. Ata thonë se farën e misrit e kanë blerë nga firma shpërndarëse e këtij produkti, “Agro Blend”, firmë në të cilën ishin furnizuar dhe fermerët e komunës së Pajovës që protestuan për të njëjtën gjë ditën e djeshme. Sipas fermerëve, farës së mbjellë i janë bërë të gjitha shërbimet që në mbjellje dhe të tëra fazat por nuk u realizua prodhimi dhe ata kanë mbetur të befasuar kur kanë parë në fund vetëm masë vegjetative. Janë qindra familje nga tërë komunat e Matit që të detyruara edhe nga çmimi i lartë në treg i grurit dhe misrit, kanë mbjellë sipërfaqe të tëra me misër pasi dhe toka i përshtatet kësaj kulture dhe që e bazonin ekononinë e tyre shtëpiake tek kjo kulturë, por që duket se për këtë vit kanë “prekur” rrënimin e plotë ekonomik të tyre. Dhe më e keqja thonë ata, askush nuk po ndihet për t’i dëmshpërblyer. Ndërkohë që nga ana e Ministrisë së Bujqësisë është thënë se ditën e hënë kjo ministri do të hetojë firmën “Agro Blend”, e cila ka shitur farën e misrit tek fermerët e zonave të Elbasanit, Matit, Fierit dhe Gramshit. Ata u kanë bërë thirrje fermerëve të bëjnë analizat e prodhimit nga kompanitë përkatëse në momentin që blejnë produktin tek ata. Por fermerët janë të pakënaqur nga ky reagim ndaj dhe kanë filluar të hidhen në protesta, më së pari ata të Pajovës në Peqin ku mijëra hektarë me misërka rezultuar me kallinj bosh, duke pësuar miliona lekë humbje.