E Diel, 1 Nëntor 2026

Morin, fshati ku ngordh një lopë në ditë

Gjatë javës së kaluar ngordhën 7 lopë në Morin. Alarmimi i mjekëve të Kosovës zbuloi ngjarjen

Alarmi i banorëve: Lopët po ngordhin nga antraksi. Drejtoria e Bujqësisë: S’ka plasje, por helmim

KUKËS- Ngordhja e një lope në ditë, gjatë javës që lamë pas ka alarmuar banorët e fshatit Morin, të cilët dyshojnë se kafshët janë infektuar nga sëmundja e plasjes. Në fshatin e Kukësit, ngordhja e 7 lopëve ka shqetësuar banorët, të cilët kanë lajmëruar autoritetet përkatëse për të zbuluar shkakun. Por Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit hedh poshtë në pretendimet e banorëvese bagëtitë kanë ngordhur nga sëmundja e plasjes, ndërsa e njëjta përgjigje negative ka ardhur edhe nga Shërbimi Veterinar i Kosovës. Ditë më parë, në fshatin Morin kanë ngordhur shtatë lopë, njera prej të cilave në fshatin Vermicë, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri. Ngordhja e këtyre lopëve ka alarmuar edhe autoritetet në Kosovë, të cilët kanë bërë analizat e lopës së ngordhur. Kryeplaku i fshatit Morin, Fadil Syla, thotë se ngordhja e lopëve ka ardhur nga sëmundja e plasjes dhe për këtë arsye kërkon dëmshpërblim nga ana e shtetit. Por pretendimet e kryeplakut të fshatit Morin janë kundërshtuar nga drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit të Kukësit, Shefqet Elezi.

”Tre lopë të ngordhura të fshatit Morin i janë nënshtruar analizave dhe nuk kanë rezultuar me sëmundjen e plasjes (antraksit). Ngordhja e lopëve ka ardhur nga kullotja në barëra të këqija në brigjet e liqenit të Fierzës, të cilët krijojnë fryrje tek lopët duke iu shkaktuar atyre ngordhjen”,- pohon për “Shekullin” drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit. Ndërkohë, Shefqet Elezi thotë se ky pretendim i banorëve bëhet për qëllime përfitimi, pasi shteti kompenson bagëtitë, kur ato ngordhin nga sëmundja e plasjes. Në vijim ai shton se tre prej lopëve janë therur ende pa ngordhur dhe mishi i tyre është konsumuar nga pronarët e tyre.

Gjithnjë sipas Elezit, lopët e fshatit Morin dalin në kullotë pa barinj. Ato në të shumtën e rasteve kalojnë kufirin në Vermicë, ku janë bërë problem edhe për banorët e fshatit Vermicë, por edhe për Shërbimin e Policisë Kufitare të Kosovës. Kohë më pare, kur pikë-kalimi kufitar i Vermicës ishte nën administrimin e policisë së UNMIK-ut, dhjetëra krerë lopë të fshatit Morin janë sekuestruar dhe kanë përfunduar në thertoret e Prishtinës, pasi ato kishin kaluar kufirin për në kullotat e fshatit Vermicë.

Me marrjen nën administrim të pikë-kalimit kufitar të Vermicës nga Shërbimi Policor i Kosovës , sërishlopët e fshatit Morin kalojnë kufirin duke kullotur në fshatin Vermicë. Sipas drejtorit të Bujqësisë, Shefqet Elezi, njëherëshme profesion veteriner, lopët kanë kullotur në kurorën e liqenit të Fierzës të zbrazur si pasojë e thatësirës, ku ka barëra helmues për bagëtinë. Kjo sipas Elezit është dhe arsyeja e ngordhjes së këtyre bagëtive. Të njëjtën gjë pohon edhe zëdhënësi i Ministrisë Bujqësisë e Ushqimit të Kosovës, Rexhep Shahu. Sipas zëdhënësit Shahu, lopa e ngordhur në territorin e Kosovës, në Vermicë i është nënshtruar analizave nga Shërbimi Veterinar i Kosovës, ku përgjigja e analizave ka rezultuar që bagëtitë janë helmuar nga barërat e këqija që kanë kullotur. Sipas drejtorit të bujqësisë e Ushqimit në Kukës, sëmundja e plasjes nuk ka qenë prezente, pasi është bërë vaksinimi i blegtorisë. Por në këtë rajon, sidomos në atë të Hasit, në vitin 2006 është shfaqur sëmundja e tërbimit (rabis).Në korrik të vitit 2006, rajoni i Hasit në kufi me Kosovën është futurnë karantinë veterinare si pasojë e shfaqjes së sëmundjes së tërbimit në fshatrat Nikoliq të komunës së Golajve dhe në fshatin Krumë të bashkisë së Krumës.Asokohe u asgjësuan dhe më pas u groposen 13 krerë gjedhë, 47 qen dhe 1 gomar. Virusi i tërbimit tek kafshët shtëpiake në rrethin e Hasit kishteardhur nga një dhelpër e infektuar me këtë virus. -----------------------------------------------------Fadil Syla kundërshton drejtorinë e Bujqësisë: Nuk erdhën të bënin analizat

Kryeplaku i Morinit: Antraksi shkaktoi ngordhjen e lopëve

KUKËS- “Ngordhja e lopëve në fshatin Morin është shkaktuar nga antraksi”. Kryeplaku i fshatit Morin kundërshton drejtorin e Bujqësisë, duke hedhur dyshimet e tij për ngordhjen misterioze të lopëve në fshatin e tij. Fadil Syla pohon për “Shekullin” se ka patur bashkëbisedime me mjekët e Kosovës, të cilët janë shprehur se ngordhja është shkaktuar nga sëmundja që njihet rëndon si plasje. Në shtetin fqinj prej ditësh është vënë alarmi mbi rastet e shpeshta të ngordhjes së gjësë së gjallë të banorëve të kësaj zone. Nga ajo sa deklaron kryeplaku, ka mëse një javë që në fshatin Morin ngordh çdo ditë nga një lopë. E ndërsa autoritet e Kosovës kanë nisur ekzaminimin e rasteve, në drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit në Kukës thuhet se lopët kanë ngordhur për shkak të helmimit.Kryeplaku Syla këmbëngul se asnjë prej veterinerëve apo edhe përfaqësues të drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit të rrethit të Kukësit nuk ka shkeluar në fshat për të kryer ekzaminimet. Dyshimet e forta se 5 rastet e ngordhjes së lopëve janë shkaktuar nga sëmundja e plasjes kanë ardhur përtej kufirit. Rastet e ngjashme që kanë ndodhur edhe në fshatin Vermicë kanë alarmuar autoritetet e Kosovës. Nga ajo sa thotë Syla, mjekët kanë nisur menjëherë ekzaminimet dhe deri më tani ka dyshime të forta se rastet janë shkaktuar nga antraksi. “Kurrsesi nuk mund të ndodhë që lopët të ngordhin për shkak të helmimit. Prej një jave në fshatin tonë ngordh nga një lopë dhe kjo është e pamundur që të shkaktohet vetëm nga helmimi. Nga bisedat që unë kam patur me mjekët kosovorë ekzistojnë dyshime të forta se ngordhja është shkaktuar nga antraksi, por gjithsesi do të jenë analizat që do të dalin të hënën që do të vërtetojnë këtë gjë”- tha dje kryeplaku i fshatit Morin.Nga ajo sa thotë kryeplaku, rastet e ngordhjes së lopëve në Morin do të mbaheshin të fshehta, në rast se nuk do të identifikoheshin raste të ngjashme edhe në fshatin Vërnicë. Syla thotë se për autoritetet shqiptare lopët kanë ngordhur për shkak të helmimit ndërkohë që në asnjë rast nuk janë bërë analizat. “Të vetmit mjekë që kanë ardhur për të bërë ekzaminimet janë ata të Kosovës, të cilët nga bisedimet që unë kam patur janë të sigurt që lopët kanë ngordhur nga sëmundja e plasjes dhe jo nga helmimi”,- thotë kryeplaku. E ndërsa për drejtuesit e Drejtorisë së Ushqimit dhe Bujqësisë në Kukës, ngordhja e 5 lopëve në fshatin Morinë nuk është shkaktuar nga antraksi, sot pritet edhe rezultati i analizave të bëra në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›