E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treni iu merr jetën 2 motrave të moshuara

Tragjedi familjare në shinat e trenit, për shkak të pakujdesisë. Policia heton aksidentin, duke shoqëruar mashinistin

Motrat 75 dhe 70 vjeç humbën jetën në afërsi të uzinës “Dinamo e Re”. Nuk dëgjuan trenin nga mosha e thyer

TIRANË- Treni iu merr jetën dy motrave të moshura, duke shkaktuar një tragjedi familjare në Tiranë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, në hekurudhën Tiranë- Durrës në afërsi të uzinës “Dinamo e Re” në kryeqytet, kur Mide Ferra, 75-vjeçe dhe motra e saj, Hume Drenova, 70 vjeç, lindur në Dibër dhe banuese në Durrës janë përplasur nga treni. Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë policia, e cila nisi hetimet për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para rezulton se dy të moshuarat kanë qenë duke ecur mbi shinat e trenit. Ato nuk kanë mundur të dallojnë trenin, i cili i ka përplasur të dyja. “ Në këtë aksident, Mide Ferra gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa Hume Drenova si pasojë e dëmtimeve të shumta me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë nuk mundi të jetonte dhe gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak Tiranë”,-thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës.

Ngjarja

Mëngjesin e djeshëm, dy motrat e moshuara kishin qenë për vizitë tek të afërmit e tyre. Teksa ktheheshin për në banesat e tyre, të moshuarat po ecnin mbi shinat e trenit. Mësohet se ato nuk e kanë vënë re trenin, i cili në atë moment po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Durrësit. Shkurret kanë penguar motrat të shohin trenin, ndërsa mosha e thyer mendohet t’i ketë penguar për të dëgjuar zhurmën e shkaktuar prej tij. Treni ka përplasur për vdekje të dyja motrat, ndërsa nuk ka ndaluar. Njëra prej tyre, 75-vjeçarja Mide Ferra, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa 70-vjeçarja Hume Drenova kishte shenja jete dhe u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak, por ndërroi jetë sapo mbërriti në duart e mjekëve.

Policia

Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertët e policisë për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Pas hetimeve të para, burimet zyrtare policore sqaruan se në momentin që ndodhi ngjarja dy motrat po ecnin gjatë hekurudhës, mbi shinat e trenit. “Forcat e komisariatit të policisë nr.3, në bashkëpunim me drejtorinë e Hekurudhave bënë shoqërimin e mashinistit të trenit, 47-vjeçarit Edmond Hajrullai për të sqaruar më tej rrethanat e ngjarjes”, -thuhej në deklaratën për shtyp të lëshuar nga policia e Tiranës. Burimet policore thanë se mashinisti Hajrullai ka deklaruar para oficerëve të policisë se dy të moshuarat po ecnin mbi shina dhe megjithëse ai ka dhënë sinjal, ato nuk janë larguar duke mos bërë të mundur shmangien e aksidentit, ndërsa ka shtuar se nuk kishte mundësi të ndalonte trenin. Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur me saktësi shkaqet e këtij aksidenti që i mori jetën dy motrave. Në pyetje janë marrë edhe kalimtarë të rastit të cilët u bënë dëshmitarë të këtij aksidenti. Ata kanë deklaruar se dy të moshuarat po ecnin mbi shina dhe nuk e dalluan trenin, i cili i mori përpara disa metra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›