E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetëra ish-minatorë ndiqen penalisht për pensione false

Furtuna kundër vjedhjeve në sigurimet shoqërore në Kukës merr përmasa të gjera. Akuza për falsifikim të dokumenteve për pension të veçantë apo trajtim social bie mbi dhjetëra ish-minatorë. Dje janë depozituar në prokurori edhe 20 kallëzime të tjera, përveç 18 të tilla, që ishin bërë tre-katër ditë më parë për "falsifikim të dokumenteve". Kallëzimi penal jo vetëm që u ndërpret atyre pensionin prej rreth 6000 lekësh në muaj, por në bazë të nenit 186 të Kodit Penal mund të gjobiten nga 20 deri në 60 000 lekë, ose të dënohen me burg deri në tre vjet. Sektori i luftës kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, ka referuar në prokurori materialet në ngarkim të 38 ish-minatorëve, të cilët pas një kontrolli të bërë në dosjet e tyre të pensioneve kanë rezultuar me disa dokumente të falsifikuara. Lajmin e bëjnë të ditur burime zyrtare të Policisë në Kukës, ku nënvizohet fakti se ndaj ish-minatorëve, të cilët mësohet se ndiqen në gjendje të lirë, ka bërë kallëzim Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Pesë muaj më parë kjo drejtori pezulloi rreth 300 dosje "për verifikim" dhe pas kontrollit të auditit të brendshëm u hoqën nga lista e pensioneve 250 ish-minatorë, që, sipas këtij kontrolli, kishin përfituar pension në mënyrë të paligjshëm. Drejtues të degës rajonale të sigurimeve tregojnë se këto ditë mund të bëhen edhe kallëzime të tjera. "Për rreth 100 ish-minatorë kemi plotësuar dokumentet dhe do t‘i procedojmë penalisht, pasi ka mashtrime me vitet e punës, me moshën dhe me profesionin", ka thënë drejtori i sigurimeve M. Hoxha, duke anashkaluar se dokumentet e dosjeve nuk janë hartuar nga minatorët, por nga specialistë që dinë të vjedhin dhe që kanë shitur vërtetimet përkatëse. Një ish-minator tha për gazetën se "vërtetimet i kemi blerë me lekë. Kam paguar një milion lekë për t‘i nxjerrë dokumentet". Por si nga policia, ashtu edhe nga institucionet e tjera, mohohet të ketë filluar ndonjë kontroll ndaj zyrtarëve që kanë lëshuar dokumente false kundrejt shpërblimit. Në të vërtetë, listat e pensionistëve janë një enigmë e mistershme, pasi, siç kanë deklaruar institucione të specializuara, ndër 550 mijë pensione që jepen në Shqipëri, ka me mijëra të falsifikuar. Nga përgjegjësia e kësaj dukurie nuk duhen përjashtuar segmentet që kanë shitur të drejtën e vulës së shtetit, duke shënuar një nga abuzimet më të mëdha në kampin social.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›