E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet ideja e Korridorit 8

Rikthehet në qendër të vëmendjes Korridori 8 dhe puna për realizimin e tij. Në kushtet e reja të krijuara në Ballkan ky korridor shihet edhe si një instrument në duart e Evropës për të qetësuar rajonin e nxehtë. Realizimi i këtij korridori, përveç interesave ekonomiko-financiare, vlerësohet si një rrugë për të sjellë paqen, stabilitetin ekonomiko-politik. Grupi i punës me specialistë portualë dhe logjistikë të Shqipërisë, Italisë dhe Bullgarisë nga do të kalojë ky korridor ka rinisur punën. Kanë kaluar më shumë se 13 vjet që nga koha kur u hodh ideja e krijimit të këtij korridori, që mbetet ende një nismë e pamundur. Vende të cilave u prekeshin interesat nga funksionimi i tij, ndërsa shfrytëzojnë të tjera korridore ndërlidhjeje, mosmarrëveshjet diplomatike, si dhe nevoja për investime të mëdha e lanë në hije këtë projekt me rëndësi të madhe për vendin tonë dhe të gjithë rajonin. Interesi italian për të pasur lidhje me këtë korridor siguroi mbështetjen e duhur diplomatike dhe politike në mënyrë që nisma e nisur si ide e Presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klinton të bëhet realitet dhe të përfshihet nga strukturat e larta vendimmarrëse të KE-së në prioritetet e veta. Ndërkaq, sipas një njoftimi të ASCA-s, Agjencisë Italiane të Shtypit të Përditshëm Kombëtar, në Shqipëri, është mbledhur sërish grupi i punës së porteve dhe logjistikës së Korridorit VIII. Grupi ka në përbërje të tij teknicienë, specialistë të ministrive të Transportit dhe Autoriteteve Portuale të Barit, Brindizit, Durrësit, Vlorës, Burgasit e Varnës. Pas një vizite në portet e Barit, Brindizit dhe Tarantos, grupi do të inspektojë shërbimet dhe kapacitetet e porteve shqiptare, ndërsa është planifikuar një pritje në Ambasadën e Italisë në Tiranë nga ambasadori Saba D‘Elia për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale të kryera në funksion të Korridorit 8. Puna e deritanishme, sipas specialistëve është përqendruar në studimet mbi infrastrukturën hekurudhore, rrugore dhe portuale në mënyrë që mbi bazën e tyre të hartohen projektet për përballimin e fluksit të mallrave dhe njerëzve që Korridori do të sillte në jetët ekonomiko-sociale të vendeve nëpër të cilat kalon. Në javët e ardhshme ekspertët do të zhvendosen në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës, në pritje të publikimit të studimit "Sistemi i Porteve dhe Logjistikës së Korridorit VIII: Vlerësimi teknik dhe përfundimtar i një Strategjie të Zhvillimit të Koordinuar". Ky studim, sipas burimit që vjen nga brigjet e Adriatikut Perëndimor, financohet në bazë të ligjit 84/2001 për stabilizimin e Ballkanit dhe bashkëfinancohet nga Nisma për Evropën Qendrore. Është Sekretariati i Korridorit 8 që koordinon Grupin e Punës së Porteve dhe Logjistikës i mbështetur nga Politekniku i Barit, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit. Ndërkaq financimi i punës së këtij grupi bëhet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomiko-Tregtar Ndërkombëtar nëpërmjet strukturës së shërbimit të "Fiera del Levante"-s.

Projekti

Ǒpritet nga korridori panevropian

Korridori 8 do ta shndërrojë Durrësin dhe krejt Shqipërinë në një urë lidhëse mes tregjeve Perëndimore dhe atyre të Azisë Qendrore. Ky korridor, një projekt transnacional, vitet e fundit ka marrë vëmendjen e Bashkimit Evropian, ndërsa vlerësohet shansi që nëpërmjet tij i jepet rritjes së bashkëpunimit rajonal, ndërsa kalon nëpër Shqipëri, Maqedoni e Bullgari. Porti i Durrësit njihet si pika fundore detare e këtij korridori, që do të lidhë Lindjen me Perëndimin, duke synuar lidhjen e vendeve të Adriatikut me vendet ballkanike dhe ato të Detit të Zi, përfshin një infrastrukturë të plotë transportesh rrugore, hekurudhore, detare dhe ajrore. Sipas një përllogaritjeje të përafërt janë 960 kilometra rrugë dhe afro 1280 km linja të hekurta që do të shfrytëzohen për të bërë realitet korridorin që në një të ardhme të afërt pritet të shtrihet deri në Lindjen e Mesme. Kjo do të siguronte mundësi dhe zhvillime të reja, pasi futja në tregun e vendeve më të pasura me naftë, përfshirë këtu dhe realizimin e gazsjellësit NABUCgazetaCO, që parashikohet të nisë më 2010, do të siguronte rënie të kostove të transporteve të naftës, po dhe mallrave të tjera. Korridori nis nga portet bullgare të Varnës e Burgasit, kalon nëpër Sofje, Shkup, Tiranë dhe përfundon në Durrës, ndërkohë që prej këtej nis lidhja me portet e Barit dhe Brindizit të konsideruara si portat e Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit. Ndërkaq linjat me portet turke do ta lidhin Korridorin 8 me basenin e Kaukazit, prandaj ndërtimi i një tubacioni naftësjellës përgjatë tij shihet si një nga projektet më të rëndësishme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›