E Diel, 1 Nëntor 2026

Razma, një vend ku mund të çlodhesh e argëtohesh me pak para

Zonat turistike malore, që për fat të mirë Shkodra i ka me shumicë, nga viti në vit po bëhen akoma e më të preferuara nga pushues vendas dhe të huaj. Një nga këto zona turistike është dhe Razma. Largësia me qytetin e Shkodrës është vetëm 35 kilometra, po aq sa edhe nga plazhi i Velipojës. Lartësia 1200 metra mbi nivelin e detit, ajri i pastër dhe kurativ, bukuritë natyrore të kësaj zone kanë bërë që tashmë kjo pikë turistike të kthehet në një nga zonat më të frekuentuara për turizëm.

Një sipërfaqe prej 1500 hektarësh me pyje të pishës dhe ahut, me florë e faunë të spikatur alpine, bëjnë që kjo zonë të zotërojë potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit alpin.

Me bukuritë natyrore dhe peizazhin e mrekullueshëm fillon të takohesh sapo lë Komunën Kastrat të Malësisë së Madhe. Duke u ngjitur rrugës malore të asfaltuar, pamja përballë arrin fort larg, deri te liqeni i Shkodrës. Për të vazhduar më pas rrugën nën shoqërinë e pemëve të larta dhe ajrit të pastër deri sa arrin rrëzë Veleçikut.

Fshati me pak shtëpi duket se rron nën hijen malit të Veleçikut, nga lartësia e të cilit arrin të shohësh Shkodrën dhe Podgoricën. Është fundjavë dhe të bëjnë përshtypje jo makinat e shumta me targa të Shkodrës, por makinat me targa të rretheve të tjera, kryesisht të Tiranës dhe Durrësit. Të organizuar në ekskursione shkollash apo udhëtime turistike familjare, ose shoqërore, Razma bëhet mikpritësja e shumë turistëve nga e gjithë Shqipëria, por edhe e turistëve të huaj.

Një mundësi më shumë për zonën është dhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike gjatë 24 orëve, por ajo që duket se ka bërë më shumë turistë të udhëtojnë drejt kësaj zone janë çmimet e arsyeshme, madje edhe më të lira se në qytet. Karakteristike për zonën është mishi i qengjit në hell. Shërbim ky që ofrohet me mjaft specialitet dhe çmim tepër të arsyeshëm.

Konkretisht, siç rrëfejnë pronarët e hoteleve, një drekë e servirur e gjitha me mish të bollshëm qengji e me birra mund të kapë vlerën e 7 mijë lekëve për gjashtë persona, ndërsa hoteleria ofron çmime akoma më konkurruese, ku një shtrat për person kushton 500 lekë.

Një pronar hoteli, Gjergj Pepaj, duke folur për gazetën "Shqip" thotë: "Po mundohemi të krijojmë të gjitha kushtet, pasi është një zonë me bukuri të rralla natyrore dhe shumë afër me Shkodrën. Turistët, sidomos nga Tirana dhe Durrësi, po vijnë gjithnjë e më shumë. Qetësia, furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike kanë bërë që zona të jetë tepër e rehatshme. Sidomos në stinën e verës ky vend ka vlera të veçanta. Në një kohë që në qytete temperaturat e larta janë të papërballueshme, këtu natën duhet të vishesh me rroba me mëngë të gjata. Por zona ka vlera edhe për turizmin dimëror, sidomos të atij alpin, pasi vetë struktura e malit të Veleçikut është mjaft e përshtatshme për sportin e skive".

Duke parë të gjitha këto që ofron Razma, shumë biznesmenë kanë hyrë fuqishëm me investime, duke nisur ndërtime hotelesh nga më luksozët, ku nuk mungojnë edhe pishinat dimërore dhe verore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›