E Shtunë, 31 Tetor 2026

TEC-i, gati instalimi makinerive

Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare thonë se punimet për ndërtimin e termocentralit të Vlorës po ecin me ritme të kënaqshme dhe se shumë shpejt pritet të hyjnë në një fazë më të avancuar. Sipas këtyre burimeve, në korrik punimet në TEC-in e ri të Vlorës do të hyjnë në fazën e vendosjes së agregateve dhe makinerive. Mësohet se deri tani kanë përfunduar pjesa kryesore e punimeve civile, ku përfshihen vendosja e bazamenteve të makinerive, të rezervuarëve për lëndën djegëse dhe ujit, bashkë me ndërtimin e godinave të kontrollit dhe të administratës. Projekti për TEC-in e Vlorës përfshin edhe nënstacionin e ri të Babicës, si dhe disa objekte të tjera, si linjën për daljen e tensionit të lartë 220 KV në nënstacionin e Fierit, linjën e tensionit të lartë 220 KV me dy qarqe Fier-Babicë, nënstacioni i Babicës me dy autotransformatorë 100 MVA, 220/110/35 KV secili, linjat 110/ 35 KV me rajonin, nënstacioni Vlora 2 110/20 KV me dy transformatorë, me fuqi prej 35 MVA secili. TEC-i i Vlorës përbën dhe investimin më të madh publik si vepër energjetike, pasi prej 25 vitesh nuk është ndërtuar asnjë objekt i ri prodhues i energjisë. Rreth 92 milionë euro është investimi nga Banka Botërore dhe BERZH për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, me fuqi 97 MW, punimet e të cilit përfundojnë në maj 2009.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›