E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma Amerikane, 8 vjet aktivitet në Shqipëri



Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka plot 8 vite aktivitet. Dhoma Amerikane u krijua në Shqipëri me një objektiv të qartë: mbrojtjen e interesave të biznesit anëtar dhe rritjen e nivelit të investimeve amerikane në vend. Dje pas tetë vjetësh, AmCham-i ka të regjistruar në kurrikulumin e vet histori të suksesshme të lobimit, që u kanë kursyer bizneseve anëtare me qindra miliona lekë, por edhe një jetë të gjallë dhe aktive në zhvillimin ekonomik të vendit. Formatet e takimit në AmCham janë ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i shërbejnë biznesit. Të tilla janë edhe Forumet e Biznesit, një pjesë e të cilave kanë pasur në krye të tavolinës krerët e tatimeve dhe doganave, me të cilët është diskutuar në mënyrë teknike mbi problemet që ka biznesi. Në këto formate, biznesi ka pasur mundësinë të marrë edhe informacionin më të fundit mbi teknikat e reja financiare, që nga pagimi elektronik i taksave, prokurimi elektronik e deri tek format financiare si lizingu që filloi të zbatohet në tregun vendas. Dhoma Amerikane u ka dhënë mundësinë anëtarëve të vet të jenë të pranishëm në dreka pune me të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar për çështjet ekonomike në vend, duke filluar nga ministri i Financave, ministri i Ekonomisë, ministri i Transporteve, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale apo edhe ministri i Arsimit në rastet kur biznesi ka pasur nevojë të angazhohet në këtë sektor. Në të gjitha këto takime gjatë tetë vjetëve, zyrtarët e lartë kanë raportuar përpara biznesit të Dhomës Amerikane mbi punën e bërë në sektorët që ata drejtojnë dhe më pas i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve. Lobingu është një nga aspektet më serioze të punës së AmCham-it. Falë kësaj pune, AmCham-i jo vetëm që ka forcuar pozicionin e vet në tregun e organizatave të biznesit, por ka mundur t’u shërbejë gjithashtu me korrektësi dhe efiçencë anëtarëve të vet. Nga dita e parë e krijimit e deri më sot, AmCham-i ka marrë mjaft trofe nga lobimi në qeveri për hartimin dhe zbatimin e ligjeve fiskale, por edhe administrative që ndikojnë në aktivitetin e biznesit. Në veçanti, gjatë vitit të fundit, AmCham-i është gjendur i angazhuar në çështje madhore që kanë prekur jetën e biznesit. Gjykata Kushtetuese shpërbleu mundin dhe angazhimin e shtatë organizmave të biznesit, të cilët pas një lobimi të fortë në qeveri, kundërshtuan me argumente parapagimin 15 për qind të gjobës, përpara se të ankimonin çështjen në gjykatë. AmCham-i ka pasur një angazhim mjaft të madh në përgatitjen e ligjit të ri të procedurave tatimore, si edhe një diskutim mjaft të gjerë në lidhje me zbatimin gjatë 2008-ës të disa ligjeve të reja fiskale dhe administrative. Takimi në fillim të vitit me specialistë të Drejtorisë së Tatimeve tregoi se ka mjaft probleme që vijnë nga ndryshimi i ligjeve, për të cilat administrata tatimore nuk është e përgatitur t’i përballojë. Paralelisht me këtë punë, AmCham-i ka qenë mjaft i angazhuar në takime me zyrtarë të lartë, ku një prej më të rëndësishmëve ka qenë edhe takimi me Kryeministrin Sali Berisha, i cili ka qenë mjaft produktiv, për sa i takon shkëmbimit të ideve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›