Komisioni i Ekonomisë miraton kontratën e privatizimit të ARMO-s
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje kontratën e privatizimit të kompanisë ARMO. Komisioni miratoi dje projektligjin "Për miratimin e kontratës së shitjes së 85% të aksioneve të ARMO sh.a, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe blerësit Amra OIL sh.a dhe konsorciumit Refinery Associates of Teksas Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited". Sipas relacionit bashkangjitur këtij projektligji, 85% e aksioneve shtetërore të kompanisë së tregtimit dhe përpunimit të naftës ARMO, i janë shitur konsorciumit të përbërë nga tre shoqëri: "Anika Enterprises SA" & "Mercuria Energy Group Limited" & "Refinery Associates of Texas, INC". Çmimi i shitjes së 85% të aksioneve të ARMO sh.a është 128,750,000 euro. Konsorciumi i ka dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës një garanci kontrate prej 20% të çmimit. Në bazë të kontratës, tri shoqëritë anëtare të konsorciumit janë përgjegjëse solidare për pagesën e çmimit të blerjes, zbatimin e biznes-planit, si dhe për përmbushjen e të gjitha garancive të tjera të shitësit në kontratën e shitjes së aksioneve.