E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gushti ul inflacionin vjetor në 2.5 për qind

Inflacioni në muajin gusht pëson ulje dhe shënon kështu nivelin më të ulët vjetor të tij. INSTAT-i ka publikuar dje të dhënat për muajin gusht ku rezulton se inflacioni vjetor në këtë muaj u ul në 2.5 për qind nga 4.2 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të 2007-ës. Në fakt, në këtë muaj jo se janë ulur çmimet ndjeshëm, por krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ato kanë pasuar një rrite më të vogël. Përgjegjësja e sektorit të çmimeve pranë INSTAT-it, Hasbie Bunguri, tha të hënën gjatë një konference për shtyp se "rënia e inflacionit vjetor në muajin gusht 2008 është rezultat i rritjes më të vogël të inflacionit në periudhën gusht-korrik 2008 me 0.6%, kundrejt rritjes së inflacionit gusht- korrik 2007, i cili ishte 1.9%". Gjatë muajit gusht çmimet e konsumit u rritën 0.6 %, kundrejt muajit korrik (gusht 08/gorrik 08), ku ndikimin më të madh, prej 1.6%, e dha rritja e çmimeve, kryesisht për grupin “ushqime dhe pijeve alkoolike". Nisur nga fakti se inflacioni vjetor është ndryshimi i çmimeve të muajit korent me çmimet e të njëjtit muaj të vitit të mëparshëm, Bunguri theksoi se "nuk është e thënë që tendenca e ndryshimit mujor të çmimeve të jetë e njëjtë me tendencën e ndryshimit vjetor". Sipas INSTAT-it, indeksi i grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 1.6 për qind, me një ndikim prej 0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 5.1 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të barbunjave me 26.6 për qind, patëllxhanëve me 9.1 për qind, domateve me 7.2 për qind, specave me 1.5 për qind, etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje prej 0.8 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të mollëve me 9.4 për qind, pjeprit me 6.9 për qind, kumbullave me 7.5 për qind, limonëve me 2.8 për qind etj. Gjatë muajit gusht çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “bukë e drithëra” 2.6 për qind, “peshk”, 2.8 për qind, “mish” 1.4 për qind, “qumësht djathë e vezë” 1.4 për qind etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.5 për qind, me një ndikim prej - 0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 0.6 për qind. Indeksi i nëngrupit “transport” shënoi një ulje prej 0.6 për qind, duke pasur një ndikim prej – 0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit gusht çmimi i naftës shënoi një ulje prej 3.3 për qind, dhe çmimi i benzinës një ulje prej 2.6 për qind. Çmimet e transportit interurban u rritën me 1.6 për qind. Ndërsa ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga + 0.3 për qind në + 04 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›