Gjana: Mistri pa kokrra, fermerët, dëmshpërblim nga firma
Kompanitë që shpërndanë farën do t’u kthejnë fermerëve dëmin
Ka nisur hartimi i listave të atyre që u dëmtuan
Janë me qindra fermerët që u dëmtuan nga mbjellja e misrit kallp, i cili në rritje rezultoi se nuk kishte prodhuar kokrra. Ata i kanë kërkuar ndihmë qeverisë t’i ndihmojë për t’u dëmshpërblyer për dëmin e shkaktuar. Dje, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Jemin Gjana, ka garantuar fermerët se ata do të dëmshpërblehen, por në këtë rast jo nga shteti, por nga firmat që kanë tregtuar farën e skaduar. Gjana bëri me dije dje, në një konferencë shtypi se po përgatiten listat e fermerëve që u prekën nga kjo ngjarje, deri në shpërndarjen e fondeve. Ministri njoftoi se dikasteri që drejton ka monitoruar dhe vazhdon ta bëjë këtë për gjithë procesin që ka ndodhur. Gjana tha se kompanitë private që shpërndanë farën do të kryejnë dhe dëmshpërblimin. "Kompanitë private që furnizuan me këtë farë misri do të dëmshpërblejnë të gjithë fermerët e dëmtuar, bazuar në sipërfaqet e verifikuara për çdo fermer dhe rendimentin për hektar, sipas zonave", - tha Gjana. Gjana tha se shteti nuk ka përgjegjësi për farën e skaduar të misrit dhe nuk ka pse të paguajë dëmshpërblim. “Pavarësisht deklaratave politike të opozitës, asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe fondet e taksapaguesve shqiptarë nuk do të përdoret për këtë dëmshpërblim”, - tha ai, duke shtuar se "raportet mes subjekteve private zgjidhen sipas normave ligjore dhe shteti nuk merr përsipër të paguajë për llogari të kompanive private”. Sipas tij, Shqipëria mbjell më shumë se 60 mijë ha me misër dhe sipërfaqja e mbjellë në vitin 2008, është 14% më e lartë se një vit më parë. Prodhimi vjetor mesatar i misrit llogaritet në 220-250 mijë tonë, që përdoret kryesisht për blegtori dhe jo për bukën e popullit. "Sipërfaqja me probleme nga përdorimi i farës Aliseo, marrë nga firma botërisht e njohur franceze "Limagrain", e certifikuar sipas skemave të O.E.C.D-së, sipas verifikimeve të deritanishme rezulton në 145 ha, në dy qarqe, Dibër dhe Elbasan, ndërsa lajmet për përhapje në qarqe të tjera janë një mashtrim i pastër politik e mediatik", - tha Gjana. Ministri Gjana theksoi faktin se ky varietet misri ka disa vite që përdoret në Shqipëri. "Aludimet për monopole politike apo ekonomike janë tërësisht një sajim propagandistik, pasi numri i kompanive që merren me importin e farave, është mbi 27 dhe shumica e tyre kanë mbi 15 vjet që merren me këtë aktivitet. Duke theksuar faktin se strukturat shtetërore kanë kontrolluar rigorozisht importet për farën e misrit, ai informoi se këtë vit u penalizuan 12 kompani importuese për 22 lloje farë misri dhe u asgjësuan 1237.7 kv farë misri, që u gjetën pa standarde për mbjellje. "Ndër 12 kompanitë e penalizuara, është edhe AGROBLEND, ndaj padrejtësisht, aludohet për mbrojtje të saj", - vijoi ministri Gjana. Ai bëri të ditur se në mbjelljet e vitit 2008 u përdorën rreth 2500-3000 tonë farë misri, ndërsa rezultojnë me probleme vetëm 10 tonë të rastit në fjalë, përveç sasisë që u asgjësua pas kontrolleve të ESHFF-së, para mbjelljeve. Ministri Gjana theksoi se nisur nga fakti që problemi i farës së misrit është shumë kompleks, i ka drejtuar zyrtarisht një kërkesë për sqarim teknik, firmës franceze "Limagrain", Shërbimit Zyrtar të Kontrollit dhe Certifikimit në Ministrinë franceze të Bujqësisë, Peshkimit dhe Ushqimit etj. "Kemi kërkuar shpjegime nga ISTA (Shoqata Ndërkombëtare e Testimit të Farërave) si dhe nga UPOV (Unioni për Mbrojtjen e Varieteteve të Bimëve), ku ne jemi anëtarë. I jemi drejtuar zyrtarisht, përveç Sekretarit të Përgjithshëm të UPOV-it z. Rolf Jordens, dhe administratorit të skemave dhe kodeve të bujqësisë në OECD z. Betrant Dagallier", - tha ministri Gjana, duke premtuar se do të qartësohen publikisht të gjitha rezultatet e analizave dhe shkakun e vërtetë të sterilitetit të kësaj fare misri. Ministri i MBUMK-së, Jemin Gjana, në këtë konferencë iu përgjigj dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili një ditë më parë, akuzoi qeverinë si përgjegjëse për atë që ndodhi. "Kryetari i Bashkisë së Tiranës para se të bëjë projektligj për një çështje tashmë të zgjidhur, le të bëjë më parë një të tillë për t'u paguar milionat qindra familjeve të Tiranës, që i përmbyti kur hapi portat e liqenit apo që i përmbyt sa herë ka reshje në Tiranë, për mungesa dhe përgjegjësi, tërësisht të bashkisë që ai drejton", - tha Gjana. Janë me qindra raste që janë zbuluar se janë mbjellë me misrin e skaduar. Me qindra të tilla janë shfaqur në Elbasan, Mat, Klos, Bulqizë, Dibër, Fier e Lushnje.