E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma Amerikane: Tatimet shkelën ligjin

Dhoma Amerikane e Tregtisë, një lobing i rëndësishëm biznesi, denoncoi dje publikisht atë që e quajti "keqinterpretim të ligjit për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore" nga ana e administratës fiskale në vend. Në një letër të hapur drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, presidenti i Dhomës Amerikane, Philip H. Bay, thotë se tatimet kanë kushtëzuar përfitimin nga ligji i amnistisë me pranimin nga ana e bizneseve të vlerësimeve abuzive tatimore dhe heqjen dorë nga e drejta e ankimimit administrativ.

"Nga kontaktet me drejtues të tatimeve dhe doganave, anëtarët e Dhomës Amerikane janë vënë në dijeni nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve që ata interpretojnë ligjin për amnistinë fiskale dhe udhëzimit nr. 33 në këtë mënyrë: tatimpaguesit që duan të përfitojnë nga ligji për amnistinë fiskale duhet të heqin dorë (nëse e kanë filluar apo duan të fillojnë) nga apelimi administrativ apo gjyqësor kundër vlerësimeve tatimore apo doganore. Nëse zbatohet në këtë mënyrë, atëherë tatimpaguesit humbasin të drejtën për të apeluar vlerën e principalit, në kurriz të përfitimit nga amnistia për gjobat dhe interesat", thotë z.Bay në letrën e tij.

"Ky interpretim i ligjit për amnistinë fiskale dhe udhëzimit përkatës është në kundërshtim me qëllimin e "Amnistisë Fiskale" dhe dispozitat në fjalë, dhe ne besojmë se ky nuk ishte qëllimi i hartuesve të ligjit. Në fakt, në rast se do të kishte ndonjë detyrim për të tërhequr apelimin administrativ apo gjyqësor, kjo gjë duhej të ishte e përcaktuar shprehimisht në ligj", - vijon më tej letra.

Ligji "Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore", u miratua vitin e kaluar dhe u reklamua gjerësisht nga qeveria si një "Amnisti Fiskale", por ekspertët e konsideruan se synimi i ligjit qe më së shumti një "pastrim bilancesh nga taksat pa shpresa për t‘u arkëtuar". Qeveria shpalli se ligji falte miliarda lekë detyrime të pashlyera, ku detyrimet për taksën vjetore të qarkullimit rrugor qenë më të mëdhatë.

Ligji i lejonte taksapaguesit të shlyenin detyrime të ndryshme fiskale pa gjoba dhe kamatëvonesat që shoqërojnë taksat e papaguara në kohë. Tatimet vlerësojnë se shlyerja e këtyre detyrimeve dhe falja e interesave nënkupton në të njëjtën kohë që biznesi të pranojë vlerësimin tatimor dhe të heqë dorë nga ankimimi në gjykatë. Ekspertët e Dhomës Amerikane të Tregtisë besojnë se ky interpretim është i pasaktë dhe joligjor, pasi në asnjë rast, në ligjin e amnistisë nuk sanksionohet heqja dorë nga ankimimi.

"Neni 2 i ligjit parashikon se në rastin e detyrimeve tatimore/doganore të njoftuara rregullisht, kushti që duhet përmbushur për përfitimin e amnistisë mbi gjobat dhe interesat, është pagesa e principalit të detyrimit brenda një afati 6-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit", thotë Dhoma Amerikane. Edhe udhëzimi përkatës i ministrit për zbatimin e ligjit nuk sanksionon asgjë në lidhje me të drejtën e ankimimit.

"Apelimi kundër vlerësimeve të administratës publike (tatimore apo doganore) është një e drejtë themelore e tatimpaguesve ndaj vlerësimeve abuzive dhe jo të bazuara në ligj. Ne nuk besojmë se qëllimi i ligjvënësit është që nëpërmjet faljes së gjobave dhe interesave, të heqë të drejtën e ankimit kundër këtyre vlerësimeve", vijon letra e Dhomës.

Pastrim bilancesh

Ligji në fjalë u përdor për të nxjerrë nga bilancet një mal me detyrime tatimore dhe doganore të prapambetura dhe që nuk kanë shans real arkëtimi. Kjo qe më e dukshme në rastin e taksave të automjeteve. Në Shqipëri janë lëshuar mbi 320 mijë targa dhe leje qarkullimi për automjetet, por zakonisht vetëm 200 mijë makina kryejnë kontrollin vjetor teknik. Diferenca besohet se nuk janë makina që qarkullojnë pa dokumente, por janë makina të dala nga përdorimi, por që qytetarët nuk i kanë dorëzuar dokumentet. Por ndërkohë mbi këto dokumente vijojnë të rëndojnë detyrimet shumëvjeçare dhe gjobat përkatëse të papaguara. Këto janë borxhe të pashpresa për t‘u arkëtuar, sipas ekspertëve.

Por nga ana tjetër edhe një numër i konsiderueshëm biznesesh po e përdorin ligjin për të përfituar një pozicion më komod përballjeje ligjore me tatimet. Shumë biznese besojnë se duke paguar principalin e detyrimit tatimor apo doganor, do të dalin gjithsesi të fituar pavarësisht nëse procesi ligjor i ankimimit do ta hedhë poshtë apo jo vlerësimin tatimor.

Ministria e Financave nuk dha ndonjë mendim në lidhje me pretendimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Zakonisht, Dhoma reagon publikisht mbi probleme të tilla vetëm, pasi bisedimet jopublike nuk kanë dhënë rezultat.

Dalja në publik e Dhomës detyrohet edhe nga fakti se ligji ka sanksionuar një afat ligjor gjashtëmujor për përfitimin e faljeve dhe se ky afat pritet të skadojë pas pak javëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›