Kartat, arrihet marrëveshja PD-PS
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste arritën marrëveshjen për letërnjoftimet. Raundi i djeshëm i bisedimeve mes ekspertëve të të dyja palëve zgjidhi dhe ngërçin e krijuar nga opozita për çmimin e kartave. Ata ranë dakord që personat që nuk kanë pasaportë, do të paguajnë çmimin e kartës së identitetit në vlerën reale prej 12 mijë lekësh të vjetra. PS-ja është tërhequr nga propozimi për karta falas dhe ka pranuar skemën e re të funksionimit. Sipas marrëveshjes, skema e subvencionimit e qeverisë për njerëzit në nevojë nuk do të ndryshojë, ndërsa është bërë ndryshim vetëm për personat që s’kanë pasaportë, që s’janë në skemën e rimbursimit.
Marrëveshja
Oerd Bylykbashi, këshilltari i Kryeministrit dhe eksperti i PD-së në negociatat me PS-në, tha dje për gazetën se me mes të dyja palëve është rënë dakord për kartat e identitetit. Bylykbashi informoi se me PS-në është vendosur që personat pa pasaporta do të paguajnë 2 mijë lekë të vjetra për të marrë kartën e identitetit, por pas 6 muajve nga dita e aplikimit, ata do të shlyejnë pjesën e mbetur prej 10 mijë lekësh të vjetra. “Kjo skemë është për të gjithë ata që nuk janë në skemën e rimbursimit që ka miratuar qeveria më 15 prill”, - tha Bylykbashi. Kjo do të thotë se të gjitha kategoritë që qeveria ka vendosur t’u parapaguajë kartën, do të veprojnë sipas vendimit të qeverisë. Negociatat PD-PS kanë vendosur vetëm për pjesën e qytetarëve pa pasaporta që nuk janë në skemën e rimbursimit. Kjo kategori do të paguajë dy mijë lekë për kartën e identitetit dhe më pas, ata do të paguajnë pjesën e mbetur prej 10 mijë lekësh.
Kështu, qytetarët që janë pa pasaporta, si pensionistët, njerëzit në nevojë, studentët, pra kategoritë që janë përmendur në vendimin e qeverisë, do të rimbursohen. Romët dhe egjiptianët do ta marrin falas. Ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë pa pasaporta, por që s’janë në skemën e rimbursimit, praktikisht kartën e identitetit do ta paguajnë 12 mijë lekë të vjetra.
Negociatat
Por negociatat mes PD-së dhe PS-së nuk janë marrë vetëm me kartat e identitetit. Negociatat kanë prekur edhe aspekte të tjera. Eksperti Oerd Bylykbashi tha më tej për “standard” se mes të dyja palëve po diskutohen edhe shumë çështje të tjera. Ai tha se është rënë dakord që opozita të ketë informacione për çdo veprim që ndërmerret. Kjo do të thotë se opozita do të ketë të drejtën e informacionit për të gjitha çështjet administrative për përgatitjen e zgjedhjeve. Praktikisht, opozita e sotme do të ketë mundësinë më të madhe që ka pasur ndonjëherë ndonjëra opozitë në Shqipëri për të monitoruar procesin. PS-ja tashmë ka mundësi të shohë nga afër çdo aspekt për procesin zgjedhor. Negociatat kanë prekur edhe tema të tjera, por do të vazhdojnë të shqyrtohen në ditët në vijim.
Kartat, si do të rimburoshen qytetarët
Qeveria mori një vendim në datën 15 prill, në lidhje me rimbursimin e qytetarëve në nevojë për sa i përket kartave të identitetit. Kjo skemë rimbursimi do të zbatohet në mënyrë të përpiktë. Sipas kësaj skeme, pensionistët, njerëzit në nevojë, studentët etj. do të marrin parapagim në datën 1 maj shumë e lekëve që u ka dhënë qeveria, një fond në total që arrin 5 milionë dollarë. Kështu, në datën 1 maj, krahas rritjes së pagave, pensioneve dhe rritjes ekonomike, qytetarët në skemë do të marrin edhe shumën përkatëse që u jep qeveria. Për të gjithë personat me ndihmë ekonomike, pa përjashtim me të drejtë, qeveria do të japë 10 mijë lekë, ndërsa dy mijë lekë do të paguhen nga vetë ata. Gjatë kësaj kohe, komunat do të blejnë të gjithë kuponët dhe do t’ua shpërndajnë qytetarëve në skemë për të bërë sa më shpejt aplikimin. Personat me ndihmë ekonomike do të marrin kuponin, të cilin do ta blejnë komuna dhe në komunë do të dorëzojmë 10 mijë lekë të vjetra sapo ata të sjellin dokumentacionin përkatës. Për sa i përket komunitetit rom dhe atij egjiptian, Berisha përsëriti vendimin për dhënien e kartave falas për këto kategori. Studentët do të duhet të paguajnë vetëm 2 mijë lekë për kartën në sekretarinë e shkollave, për të shmangur kështu parapagimin. Pensionistët do të kenë vetëm 2 muaj afat për bërë aplikimin, pasi në këtë kundërt, në rast se nuk merret karta, nuk do t’u jepet pensioni. Studentët do të duhet të paraqesin kartën e identitetit në momentin e hyrjes në provime.
Studentët do të votojnë atje ku studiojnë
Studentët do të votojnë atje ku ata studiojnë. Deklarata e drejtorit të Gjendjes Civile, Armand Teliti, u bë dje në Komisionin e Ligjeve, ku u miratua ligji për gjendjen civile. Për sa i përket çështjes së vendbanimeve, Teliti shpjegoi se çështja e studentëve tashmë është rregulluar me ligj. Kështu, në rast se një student jeton më shumë se tre muaj nga vendbanimi i tij, ai regjistrohet në vendbanimin e tij. Praktikisht, studentët në Tiranë, që janë më të shumtët në numër, shpenzojnë këtë kohë në kryeqytet për shkak të studimeve, kështu që atyre u duhet të votojnë në Tiranë. “Kemi përcaktuar se nëse studenti, brenda vitit është më shumë se tre ose gjashtë muaj në një banim të ndryshëm nga vendbanimi i tij, atëherë ai duhet të regjistrohet në vendbanimin e ri”, - deklaroi Teliti. Ai tha se pas konsultimit me ekspertët e të dy palëve u vendos që neni 14 për “vendbanimin” të detajohet në dhjetë nene të veçanta për të arritur në një marrëveshje të përbashkët. Një tjetër detaj i këtij ligji është edhe për shpalljen e personave të vdekur.