E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Të miratohen sa më shpejt planet rregulluese

28/04/2009  Kërkohet partneritet mes administratës dhe grupeve të interesit

Mungesa e planeve rregulluese vazhdon të jetë ngërç kryesor në aktivitetin e ndërtuesve. Kompanitë e ndërtimit në Shqipëri, të cilat prej dy vitesh janë duke përjetuar një situatë stanjacioni, kanë kërkuar me anën e Shoqatës së Ndërtuesve miratim sa më parë të planeve rregulluese. Kështu, sipas tyre, do të hapeshin shumë fronte pune, një problem që i bashkëngjitet efekteve të krizës ndërkombëtare. “Ka ardhur koha që bërja e planeve rregulluese në qendrat e banuara të mos shikohet më vetëm si biznes i ndërtimit apo i administratave përkatëse. Shoqata e Ndërtuesve shprehet se është e domosdoshme që të hartohen dhe miratohen sa më parë këto plane dhe të mos gjenden pretekste për zvarritjen e tyre”, - theksuan ndërtuesit. Mes të tjerash Shoqata e Ndërtuesve kërkon rritjen e partneritetin në vend. “Hipotekat duhet të jenë banka të ruajtjes së vlerave të pasurive të paluajtshme dhe që marrin pjesë në momentin e parë dhe të fundit të finalizimit të një investimi. Aktualisht nëpunësi i hipotekës është i papërgjegjshëm për bllokimin arbitrar që mund t’i bëjë procesit të një investimi, duke mos e lejuar atë të hyjë në treg. Ndërtuesve shumë herë u kërkohen dokumente dhe vihen në pozicionin e fajtorit për veprime proceduriale, të cilat janë ose kanë qenë përgjegjësi e vetë administratës së hipotekave”, - theksuan ndërtuesit. Mes kërkesave të tjera përmendet edhe rishikimi i legjislacionit ekzistues në aktivitetin e ndërtimit, si dhe hartimi i strategjive kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›