Dhoma e Noterisë, si do të funksionojë
Dhoma e Noterisë përbëhet nga mbledhja e përgjithshme e noterëve dhe Këshilli i Dhomës së Noterëve, të cilat janë organe drejtuese të dhomës, si dhe nga kryetari i dhomës e nga komisioni i pavarur i kontrollit financiar. Kohëzgjatja e mandateve për secilën nga strukturat e mësipërme duhet të jetë e ndryshme. Funksionet në strukturat e dhomës së noterisë janë të papajtueshme me çdo funksion tjetër në strukturat e Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Mbledhja e përgjithshme e dhomës së noterëve thirret nga kryetari i dhomës, me kërkesën e Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe të ministrit të Drejtësisë, sipas rregullave të caktuara në statutin e dhomës. Vendimet e mbledhjes së përgjithshme merren me shumicë votash dhe me votim të fshehtë. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Për zgjedhjen e organeve të Dhomës së Noterisë propozimet e bëra nga anëtarët e dhomave janë të fshehta. Përzgjedhja bëhet në bazë të listës së propozimeve dhe zhvillohet me dy raunde. Në raundin e parë, në bazë të listave të hartuara nga propozimet e bëra, përzgjidhen personat, që kanë më shumë pikë. Numri i personave që do të kandidojnë në raundin e dytë nuk duhet të jetë më i vogël se dyfishi i numrit të anëtarëve të organit për të cilin janë organizuar. Mbledhja e përgjithshme e Dhomës së Noterëve përfaqëson të gjithë noterët e asaj dhome. Kompetencat e mbledhjes së përgjithshme të Dhomës së Noterëve përcaktohen në këtë ligj dhe në statutin e saj. Këshilli i Dhomës së Noterisë përbëhet nga 5 anëtarë, kur dhoma përbëhet deri në 20 noterë dhe 7 anëtarë, kur përbëhet nga mbi 20 noterë.
2 Tetor 2008