E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria Amerikane, sot nisin aplikimet për vitin 2010



Albert Gjoka

Edhe kësaj radhe do të ketë lotari për të punuar dhe jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit, dy ditë më parë ka njoftuar zyrtarisht fillimin e procesit të aplikimit që nga data 2 tetor deri më 1 dhjetor të këtij viti. Rreth 50 mijë persona nga shtete të ndryshme të botës do të pranohen edhe për vitin 2010 në Amerikë. Që nga dita e sotme çdokush mund të plotësojë formularin, i cili nuk ndryshon në rregullat e përcaktuara nga vitet e kaluara. Në Shqipëri kjo lotari është shumë e përhapur, ku çdo vit ka pasur një numër të lartë pranimesh, duke e renditur vendin tonë ndër 4 shteteve me numrin më të lartë të përfituesve. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2009 kanë fituar të drejtën e qëndrimit në SHBA 2 894 persona.
Procesi
“Regjistrimet për aplikimin e Lotarisë Amerikane DV-2010 fillojnë në orën 12:00 të drekës në datën 2 tetor 2008 dhe mbarojnë në 12:00 të drekës së datës 1 dhjetor 2008”, - thuhet në faqen zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit. Për të bërë kërkesën e aplikimit gjithçka është e detajuar në në faqen e internetit; www.dvlottery.state.gov, ku do të plotësohen formularët deri në afatin e përcaktuar. Pasi përfundon procesi vjen përgjigjja pozitive ose negative për të kaluar në fazën tjetër të aplikimit. Në një njoftim për shtyp të Ambasadës Amerikane në Tiranë para katër ditësh thuhet që aplikantët të kenë kujdes nga ueb sajtet mashtruese. Ka pasur shumë raste ku faqe të ndryshme interneti janë paraqitur si faqe zyrtare të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. “Disa nga këto kompani kanë kërkuar para në mënyrë që të ‘plotësoni’ formularin e aplikimit për lotarinë. Ju njoftojmë që nuk ka pagesë për të plotësuar formularin e aplikimit të Lotarisë Amerikane”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Autoritetet amerikane kanë publikuar edhe një faqe zyrtare në internet për të informuar qytetarë të ndryshëm që të mos bien pre e mashtrimeve.
Vendet
Edhe këtë vit nuk ka shumë ndryshime në listën e vendeve të përfshira në Lotarinë Amerikane 2010. Kësaj radhe pranohen aplikime edhe nga Kosova. Të gjithë kosovarët, si të gjithë shtetasit e vendeve të tjera, mund të paraqesin kërkesat e tyre. Këtë vit është rikthyer e drejta e aplikimeve për rusët. Nuk ka ndryshime të tjera në listën e shteteve të përfshira në këtë proces. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten ndër më të preferuarit në kontinentin europian. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2009 janë pranuar aplikimet e 2894 shtetasve shqiptarë, duke u renditur kështu të tretët në Europë pas Ukrainës dhe Uzbekistanit.
Aplikimi
Formularët e Aplikimit për DV-2010 pranohen të plotësuara vetëm nëpërmjet internetit elektronikisht në faqen http://///xxx.dvlottery.state.gov gjatë periudhës së regjistrimit. Lejohet vetëm një aplikim për çdo aplikant. Në qoftë se dallohen dy ose më shumë aplikime, do të skualifikoheni automatikisht. Mbas regjistrimit të suksesshëm të aplikimit, ju do të lexoni në ekran emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendbanimin dhe datën e regjistrimit të aplikimit të cilën mund ta stamponi (print) dhe ta keni për rekordet tuaja.
Aplikimet me letër (me anë të postës, me shkrim dore, e-mail, faks etj.) nuk pranohen as këtë vit. Regjistrimi juaj do të skualifikohet në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen. Ajo duhet të jetë fotografi e kohëve të fundit. Nuk është e nevojshme të regjistroni një fotografi për fëmijët tuaj me shtetësi amerikane ose me rezidencë të përhershme ligjore. Fotografia mund të prodhohet nga një aparat fotografik elektronik dixhital ose duke e skanuar fotografinë me një skaner elektronik dixhital. Në tabelë janë 16 kërkesat për informacion që duhen për të bërë aplikimin.
Programi i Lotarisë Amerikane, i autorizuar nga Kongresi Amerikan, administrohet vit për vit nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe mbikëqyret sipas kushteve të Aktit Amerikan të Emigracionit dhe Kombësisë (AEK).

INFORMACIONI I KËRKUAR PËR APLIKIM

1. Emri i plotë - Mbiemri, Emri, Emri i babait
2. Data e lindjes, - dita muaji, viti
3. Seksi, - mashkull ose femër
4. Qyteti ku keni lindur
5. Vendi ku keni lindur – emri i vendit ku bëhet aplikimi nëse jeni jashtë
6. Nëse ju keni lindur në një vend që nuk është përfshirë në listën e aplikimit ka udhëzime të tjera.
7. Fotografia, e cila ka udhëzimet
8. Adresa e shtëpisë: Adresa 1, Adresa 2, qyteti, krahina, shteti, kodi postar, zip kodi dhe vendi
9. Vendi ku ju jetoni sot
10. Numri i telefonit
11. Adresa e e-mail-it
12. Niveli i edukimit që keni mbaruar në vendin tuaj
13. Statusi martesor – beqar, i martuar, i divorcuar, i/e ve, legalisht i ndarë
14. Numri i fëmijëve – Aplikimi duhet të përfshijë emrat, datat vendin e lindjes, të dhënat kur janë të birësuar për të cilat kërkohen të dhëna të tjera.
15. Informacion për bashkëshortin/en – emri, data e lindjes, seksi, qyteti dhe vendi i lindjes, fotografia
16. Informacion për fëmijët – emri, data e lindjes, seksi, qyteti i lindjes, shteti i lindjes dhe fotografitë

PRANIMET E SHQIPTARËVE
Viti 2009 – 2894 persona
Viti 2008 - 2862 persona

TË PREFERUARIT NË EUROPË
(Pranimet për vitin 2009)

UKRAHINË 5502
UZBEKISTAN 3284
SHQIPËRI 2894
TURQI 2331
ARMENI 1285
BJELLORUSI 1240
BULLGARI 1154

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›