Djali i çmendur qëllon me çekiç babanë
KORÇË – Rikthehet rreziku nga pacientët që vuajnë me probleme mendore. Një 32-vjeçar sapo ka lënë spitalin psikiatrik ka qëlluar me çekiç në kokë babanë e tij, i cili ndodhet në spitalin e kryeqytetit në rrezik për jetën. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr. 10 të qytetit juglindor dhe ka pasur për autor një 32-vjeçar. “Dhionis Kita, 32-vjeç ka qëlluar me çekiç babanë, Petrikën 62-vjeç, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë”- thanë burime nga vendi i ngjarjes. I dëmtuari, për shkak të gjendjes kritike në të cilën ka qenë është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore.
Ngjarja
Babë e bir kanë qenë duke punuar së bashku për të rregulluar tubin e ujit të pijshëm brenda banesës së tyre që ndodhet në lagjen NR. 10 në qytetin e Korçës kur për një moment, krejtësisht jashtë logjikës, djali është bërë agresiv. Dhionisi ka marrë një nga veglat e punës dhe i është sulur babait. Ai ka përdorur një çekiç me të cilin ka qëlluar disa herë të atin, Petrikën. Familjarët kanë ndërhyrë dhe më pas i kanë hequr nga dora mjetin 32-vjeçarit. I lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Korçës dhe më pas drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Mjekët bëjnë me dije se plagët e marra si pasojë e goditjes me mjetin e fortë janë të rënda dhe i moshuari ndodhet në gjendje kritike. Burime nga policia lokale shprehen se djali kishte vetëm 10 ditë që kishte dalë nga spitali psikiatrik, ku mbahej për trajtim mjekësor. Autori është ndaluar nga policia dhe është shoqëruar në ambientet e komisariatit. Pasi është marrë në pyetje është kthyer në shtëpi dhe hetimet ndaj tij po bëhen në gjendje të lirë për shkak të sëmundjes.
Rreziku
Megjithëse kanë ndodhur disa ngjarje të tilla edhe më parë sërish nuk është marrë asnjë masë për të shmangur rrezikun nga pacientë me probleme mendore. Një grua gjeti vdekjen në Berat ndërsa një fëmijë 13 vjeçar u përdhunua dhe më pas masakrua në Dibër. Ky ishte sinjali që shteti të merrte masa. Edhe më parë personeli mjekësor i Spitalit Nr. 5 në kryeqytet kishte dhënë alarmin se ndihej i rrezikuar nga pacientët. Disa muaj më parë ish-Ministri Ndoka urdhëroi mbylljen e spitaleve psikiatrike në rrethe, me idenë që pacientët me probleme mendore të integrohen në jetën e përditshme. Rasti i fundit është sinjali i radhës për autoritetet e shërbimit shëndetësor dhe për vetë ministren Anila Godo. Nëse të çmendurit do të lëvizin të lirshëm mjediseve publike, sërish do të ketë një tjetër viktimë nesër.
Policia jep 300 mijë lekë për kokën e atij që plagosi mjekun
VLORË – 3 milionë lekë të vjetër ka vënë në dispozicion policia për identifikimin e personit që qëlloi 12 herë me thikë mjekun në Vlorë. Ky fakt është konfirmuar nga burimet zyrtare të policisë së qarkut, të cilët kanë marrë në pyetje shtetasin Kosta Koçi, i plagosur dy ditë më parë nga një person i paidentifikuar. Ai ka dëshmuar rreth autorit të krimit, që sipas tij ishte një djalë zeshkan, rreth të 30-ve, i cili i kishte kërkuar të vizitonte një të afërme. Mjeku neurolog që kishte marrë 12 plagë me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, ka dalë nga gjendja e "shok"-ut, falë ndërhyrjes së kolegëve të tij të spitalit të Vlorës dhe më pas sipas burimeve zyrtare është marrë në pyetje nga grupi hetimor duke dhënë detaje rreth autorit të krimit. "Autori më qëlloi befas me thikë, pasi më kërkoi të shkoja për një vizitë tek një e afërme e tij", mësohet të jetë shprehur mjeku 65 vjeçar. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se grupi i ekspertëve që po heton rreth plagosjes së mjekut 65 vjeçar është fokusuar në pistën e një ngjarjeje, që ka si bazë profesionin e tij, por edhe në ndonjë motiv tjetër, që lidhet me konflikte të mundshme të tij, me persona të tjerë për shkaqe që nuk bëhen të ditura. Ndërkohë që sipas zëdhënëses së policisë së Vlorës, Rezarta Leli, "policia ka vënë në dispozicion dje një shumë prej 300 mijë lekësh ndaj atij që do të ndihmojë në identifikimin e autorit të plagosjes së mjekut neurolog, Kosta Koçi". "Policia garanton fshehtësinë e burimit të informacioneve të mësipërme, për të gjithë ata që do të bashkëpunojnë me uniformat blu", shtoi Leli. Mjeku neurolog Kosta Koçi, 65 vjeç, u qëllua me thikë rreth orës 17:20 të dy ditëve më parë, në afërsi të klinikës së tij private, pranë poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku punonte prej rreth 2 vjetësh.
2 Tetor 2008